Partitë e vogla opozitare i kanë propozuar PD-së e LSI-së disa ndryshime të Kodit Zgjedhor në nenet për koalicionet zgjedhore, që në thelb kanë maksimizimin e votave brenda koalicionit.
Sipas ABCNews, dje në një mbledhje me dyer të mbyllura, partitë e vogla ia kanë paraqitur propozimin e tyre i cili është pranuar nga Lulzim Basha dhe Monika Kryemadhi. Ky draft pasi të shihet nga ekspertët zgjedhore mund të kalojë për votim në tryezën politike të reformës zgjedhore.
Në draftin e hartuar nga PR e Fatmir Mediut, i cili mori më pas edhe mbështetje nga Duka, Shehi, Dule dhe Ndoka kërkohej që brenda koalicioneve politike të mund të krijohen edhe ‘grupime politike’ me dakordësi brenda aleatëve të të njëjtit koalicion.
Në dokumentin e siguruar nga ABCNews, partitë opozitare propozojnë që:
“Për t`u regjistruar si koalicion zgjedhor apo grupim politik, partitë politike duhet të paraqesin në KQZ kërkesën e tyre, e cila duhet të përmbajë dhe deklaratën e nënshkruar nga kryetarët e secilës parti politike, të regjistruara si subjekte zgjedhore, nëpërmjet së cilës jepet pëlqimi për të marrë pjesë si anëtare e koalicionit apo dhe e grupimit politik.
Në rastin e një marrëveshje të tyre, deklarata duhet të përmbajë dhe mënyrën e përfshirjes së një apo më shumë kandidatëve të partive politike të koalicionit apo grupimit politik, në një listë të njërës prej këtyre partive politike, renditjen e tyre sipas rendit shifror, si dhe zotimin për të përmbushur këtë detyrim”.
KQZ konfirmon kërkesën për njohjen dhe regjistrimin si subjekte zgjedhore të koalicionit si dhe grupimit politik, në bazë të marrëveshjes së tyre. Në këtë rast renditja përfundimtare e kandidatëve të listës shumëemërore zbatohet drejtpërdrejt nga KQZ-ja”.