Partitokraci + Aritmetikë

Nga Ardian Vehbiu
Partitokraci + Aritmetikë

Iu bënë disa javë përleshjes dhëmb për dhëmb, rreth Reformës në Drejtësi; dhe qytetarët po marrin shumë më tepër informacion “nga vija e frontit”, numrat e votave që priten dhe rezultatet e ndeshjeve mes palëve, sesa për çfarë po luftohet pikërisht.

Edhe pse tashmë duhej të ishte bërë e qartë se për çfarë po luftohet: (1) për marrjen nën kontroll të gjyqësorit nga ana e legjislativit dhe (2) për fuqizimin total të partitokracisë, në dëm të sovranitetit qytetar dhe parimeve republikane.

Zhurma mediatike, se reforma do t’i japë fund korrupsionit të sistemit të drejtësisë, e fsheh thelbin e krizës; dhe jo ngaqë sistemi i drejtësisë nuk është i korruptuar, por për arsyen e kundërt: ngaqë i korruptuar është.

Mirëpo ky korrupsion në sistemin e drejtësisë nuk është produkt specifik i këtij sistemi, por simptomë e një sëmundjeje të përgjithshme, që ka prekur tashmë të gjitha pushtetet në Shqipëri; dhe të njëjtin korrupsion me atë që ka kapur drejtësinë, e gjen edhe tek ekzekutivi, edhe te legjislativi.

Kjo do të ishte edhe një arsye pse qytetarët janë indiferentë: lufta kundër korrupsionit është një gjë, por lufta midis partive politike, për hegjemoní partitokratike, një gjë tjetër. Mund të mallëngjehesh akoma me të parën, por e dyta veç të revolton, sepse partitokracia është faktor madhor, për korrupsionin.

Konflikti që po konsumohet dita-ditës themelohet mbi një fotografi të ndarjeve politike ekzistuese, midis numrave të votave në Parlament, sipas partive politike. Së shpejti përfaqësuesit e qytetarëve do të thirren të votojnë sipas urdhrave të lëshuara nga këto parti, dhe për interesat immediate e këtyre; çfarë do të thotë se, kjo paketë e tanishme ligjesh që pritet të rregullojë gjyqësorin për dekadat në vijim, do të duhet të pasqyrojë me besnikëri humoret dhe numrat e një kontingjence banale, siç është ndarja e sotme e votave në Parlament.

Në media flitet për ato pak vota që i duhen akoma palës që ka shumicën, për ta kaluar Reformën; dhe që shpresohet se do t’i “rrjedhin” opozitës. Pakkush flet për mundësinë që “rrjedhje” të votës mund të ketë edhe në drejtim të kundërt.

Sikur kaq të mos mjaftonte, përplasja thjesht partitokratike po i paraqitet publikut si të ishte një “morality play”, ose një dramë bajate ku ndeshet drejtpërdrejt e mira (ata që e duan Europën, Perëndimin, etj.) dhe e keqja (ata që nuk e duan reformën, por duan të ruajnë statu quo-në).

Kush i ka ndjekur sado pak zhvillimet e kësaj komedie – sepse e tillë është, nëse do të vazhdojmë me metaforën teatrale – do ta ketë vënë re se ajo organizohet rreth çështjes së numrit të votave që duhen për të kaluar Reformën në Parlament, ose një kriter thjesht sasior, në vend që të ngrihet mbi një debat për natyrën e reformës, ose edhe të neneve të veçanta; dhe sikur të mos mjaftonte kjo, edhe ky numër votash që po u dashkan siguruar, ka lidhje me mënyrën si do të zgjidhet, sërish me vota, një organizëm (Këshilli i Lartë i Gjyqësorit) i cili do të vendosë, edhe ai me vota, për çështje të pushtetit gjyqësor në Republikë.

Dhe nëse e gjithë kjo bëhet, serialisht, për çështje votash dhe votimesh, atëherë duket qartë se edhe këtë herë puna është te kontrolli i ushtruar prej partitokracisë; meqë votat, si faktor sasior, mbeten prerogativë e partive politike.

Vota, vota, vota. Premisa e farsës është kjo: sa kohë që ne mund të zgjedhim njerëzit tanë në këta organizma, atëherë vendimet e këtyre i kemi nën kontroll – sepse këta njerëz do të votojnë sipas indikacioneve tona.

Çfarë edhe na bind që ta përkufizojmë demokraturën, ose pushtetin absolut të “shumicës”, si partitokraci + aritmetikë. S’i bën dot me faj qytetarët, për indiferencën e tyre ndaj këtij formalizmi të mbrapshtë.

P.S. Sqarimet më të mira për natyrën e përplasjeve deri më sot dhe argumenteve të sjella nga palët e kam gjetur tek exit.al: është e vetmja faqe, mes atyre që kam parë, që u rri larg argumenteve të tipit: “këtë e kërkon edhe ambasadori i ShBA-ve”.

_______________________________________________________

Artikulli u botua fillimisht në revistën Peizazhe të Fjalës, e cila ruan të drejtën e autorit.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>