Pas 5 vitesh në bashki – Veliaj ende premton ujë 24 orë në Tiranë

Nga Exit News
Pas 5 vitesh në bashki – Veliaj ende premton ujë 24 orë në Tiranë

Më 9 maj, Kryebashkiaku Erion Veliaj njoftoi se bashkia ka nisur punën për dy projekte të cilat do të sigurojnë ujë të pijshëm 24 orë në ditë për pjesën më të madhe të banorëve të Tiranës.

Duke inspektuar impiantin e filtrimit të ujit në Paskuqan, Veliaj u shpreh:

“Jemi në prag të hapjes së dy projekteve madhore të qytetit: tubacioni i ri që dyfishon prurjet në Bovillë, ku filtrohet uji dhe impianti i filtrimit.

 Falenderoj shumë Kryeministrin, ministren Balluku, që u bënë partnerët tanë për ta ndarë këtë kosto; pra, ne të bënim impiantin e filtrimit këtu ku jemi, ata të bënin tubacionin që dyfishon ujin në Tiranë.”

Zoti Veliaj tha se ‘shumica dërrmuese e qytetarëve do ta ndjejnë premtimin për 24 orë ujë që tani, jo në 2024.’

Në vitin 2017, kur kryebashkiaku Veliaj miratoi rritjen e çmimin e ujit të pijshëm, premtoi se Tirana do të kishte ujë 24 orë falë rritjes së çmimi të ujit:

“Duam që brenda 5 viteve, Tirana të ketë ujë 24 orë.

E morëm Tiranën me 7 orë ujë në ditë, e kemi me 14 orë dhe duam, siç kemi premtuar, nga 1 janari kur filluam këto investime madhore pasi BERZH-i na besoi kredinë e ujit, deri në fund të mandatit tjetër ne të kemi shkuar nga 14 në 24 orë ujë dhe të ndihemi të gjithë krenar që ishim pjesë e një transformimi jetësor për Tiranën.”

Megjithëse kryebashkiaku thotë se që tani në kryeqytet ka 14 orë në ditë ujë, qytetarët shprehen se kanë ujë kryesisht 7 orë në ditë, sipas orarit: 6:00-8:00, 12:00-13:30, dhe 19:00-20:30.

Në verën e 2019-ës, shumë lagje kryesore të Tiranës si ‘Ali Demi’, ‘Myslym Shyri’, ‘Komuna e Parisit’, janë furnizuar me ujë vetëm 2 orë në ditë. Në një raportim të Exit News, qytetarët pohuan se në 2-3 vitet e fundit situata e furnizimit me ujë është përkeqësuar.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>