Rreziku i lëndëve helmuese në ndërtesën e ish-trikotazhit në Korçë është neutralizuar përkohësisht ndërkohë që ndërtesa do të mbyllet dhe mbetjet do të largohen nga ushtria.
Flakët që pëfshinë godinën shkaktuan panik tek qytetarët që banojnë pranë godinës së braktisur ku ndodheshin lëndë kimike djegia e të cilave lëshon gazra helmues.
Robert Hysenllari, drejtor i gatishmërisë dhe përgjegjës i rasteve emergjente pranë Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile (AKMC), tha për Euronews se magazinat e ish-fabrikës do të mbyllen dhe të gjitha lëndët kimike do të hiqen që atje, proces që ka nisur aktualisht.
Një kampion i lëndëve kimike ndërkohë është dërguar në Tiranë për analiza të mëtejshme për të përcaktuar efektet që mund të kenë pasur në popullatë.
Specialistët thonë banorët nuk janë të rrezikuar pasi gazrat e lëndëve kimike të përdorura për trikotazhin janë të dëmshme për një distancë rreth 50-metra, distancë kjo kryesisht sa mjediset e brendshme të ish-fabrikës. Sipas tyre nuk është e nevojshme shpërngulja e banorëve.
Banorët thanë se kjo nuk është hera e parë që ndodh një incident i tillë.