Drejtori i Policisë së Tiranës, Rebani Jaupi urdhëroi sot drejtuesit e komisariateve në Vorë e Tiranë të arrestojnë Agim Kajmakun, ish-kryetarin e Bashkisë Vorë, në arrati, për të cilin Exit News publikoi dje provat se lëviz lirshëm në Tiranë dhe Vorë.
Sipas BalkanWeb, në mesazhin drejtuar shefave të komisariatit, Rebani Jaupi shkruan se ‘është e turpshme nëse [Agim Kajmaku] vjen dhe shëtit në Tiranë dhe nuk kapet’.
Exit News postoi dje foto të Agim Kajmakut duke lëvizur lirshëm në Tiranë dhe Vorë.
Disa fundjava më parë, Kajmaku është parë duke ecur në një rrugë kryesore në Tiranë, vetëm rreth 500 metra nga Drejtoria e Policisë së Tiranës.
Kajmaku është në kërkim që prej muajit nëntor, për emërime të paligjshme, pasi u zbulua se kishte gënjyer në formularin e dekriminalizimit.
Po ashtu, Kajmaku është akuzuar dhe për falsifikim të vulës dhe dokumenteve zyrtare dhe vazhdim të detyrës pas dorëheqjes, në shkelje të ligjit.