Pas humbjes së Erdoganit, konsorciumi turk tërhiqet nga aeroporti i Vlorës

Pas humbjes së Erdoganit, konsorciumi turk tërhiqet nga aeroporti i Vlorës

Konsorciumi turk i kompanive Cengis Construcion, Kalyon Construction dhe Kolin Construction, është tërhequr nga koncesioni për zhvillimin e Aeroportit të Vlorës. Ministria e Infrastrukturës njoftoi se do të zhvillohet një konkurs ndërkombëtar për të zgjedhur kompaninë e re:

“Lidhur me aeroportin e Vlorës. Ka përfunduar afati i ligjit për koncesionin e ‘Vlora International Aeroport’ që në shtator të vitit 2018. Konfirmojmë zyrtarisht se do të ketë një garë ndërkombëtare për ‘Vlora International Aeroport’ pasi interesi është i madh nga investitorët. Dhe ky proces do të përmbush të gjitha kushtet ligjore dhe elementët e transparencës.”

Më 17 janar 2018, kryeministri Edi Rama njoftoi se kishte marrë një “kërkesë zyrtare” për ndërtimin e një aeroporti pranë Vlorës nga konsorciumi turk. Kërkesa kishte ardhur para se të publikohej studimi i bëshmërisë së aerportit dhe pas vizitës së kryeministrit Rama në Turqi, gjatë së cilës ai njoftoi se presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan do ta “ndihmonte” me krijimin e një kompanisë ajrore shqiptare.

Sipas Ramës, puna për ndërtimin e aeroportit do të fillonte në qershor 2018.

Qeveria më pas hartoi një ligj të posaçëm për këtë koncesion që lejonte negociim të drejtëpërdrejtë mes qeverisë dhe konsorciumit turk, pa zbatuar ligjin e prokurimit publik. E njëjtaskemë e dyshimtë ligjore u përdor dhe për projektin e ndërtimit të Teatrit të Ri  nga kompania Fusha shpk.

Të dyja ligjet special, për Aeroportin e Vlorës dhe për Teatrin Kombëtar, u kritikuan nga Komisioni Evropian për shkelje të parimeve të MSA-së. Ligji i Teatrit Kombëtar u rishkrua pas kritikave të Komisionit, por ndryshimet e bëra nuk ndryshonin aspak thelbin e ligjit. Arkitekti Bjarke Ingels thuhet se është tërhequr nga projekti, por refuzon të komentojë. Ndërsa ligji për  Aeroportin e Vlorës po hetohet nga KE aktualisht.

Ndoshta tërheqja e konsorciumit turk është e lidhur me këtë hetim të Komisionit Evropian. Megjithatë, disfata e fundit në zgjedhjet lokale e presidentit turk Erdogan , një bashkëpunëtor i ngushtë i kryeministrit Edi Rama, mund të ketë ndikuar gjithashtu.

Të tre kompanitë në konsorcium, Cengiz Construction, Kalyon Construction dhe Kolin Construction, kanë lidhje të ngushta me regjimin Erdoğan. Ato kanë fituar më parë projekte miliona euroshe në Turqi në sektorin e energjisë dhe ndërtimit dhe aktualisht janë të përfshirë në ndërtimin e aeroportit të tretë të Stambollit.

Bashkia e Stambollit mendohet të ketë qenë “makina e parave” që financon shumicën e projekteve të rëndësishme të Erdoganit brenda dhe jashtë Turqisë, por tani që kjo bashki u fitua nga opozita, duket se ky burim fondesh për Erdoganin është mbyllur. Meqë vetë Shqipëria nuk mund të përballojë Aeroportin e Vlorës, i gjithë projekti varetjnga likuiditeti i kompanive të lidhura me Erdoganit. Me humbjen e tij në zgjedhje, kompanitë turke nuk janë më një opsion i mundshëm për Shqipërinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>