Me vendimin e Komisionit të Pavarur të Kualifikimit për gjyqtarin Artan Broci, dhënë dje, përfundoi dhe procesi i vetingut për 9 anëtarët e Gjykatës së Lartë.
Njësoj si Gjykata Kushtetuese, e cila mbeti me vetëm dy anëtarë, në përfundim të këtij procesi, dhe Gjykata e Lartë humbi pjesën më të madhe të anëtarëve të saj duke mbetur me katër anëtarë.
Kështu, KPK rikonfimori në detyrë kreun e Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjorin dhe gjyqtarët Edmond Islamaj, Ardian Dvorani dhe Medi Bici. Ndërkohë që u shkarkuan Admir Thanza, Tom Ndreca, Artan Zeneli, Shkëlqim Selimi dhe Artan Broci.
Ndryshe nga anëtarët e Kushtetuese të cilët u shkarkuan për fshehje të pasurisë, anëtarët e Gjykatës së Lartë u shkarkuan për një sërë arsyesh.
Kështu Admir Thanza u shkarkua sepse kishte fshehur në formularin e vetëdeklarimit një dënim të marrë në Itali në vitin 1999.
Tom Ndreca, përveç problemeve me pasurinë, u shkarkua edhe për lidhje me persona të inkriminuar.
Shkëlzen Selimi, i njohur dhe si gjyqtari i Gërdecit, u shkarkua bazuar vetëm në kriterin e pastërtisë së figurës, duke lënë jashtë hetimit pasurinë dhe profesionalizmin. Nga hetimi rezultoi se gjyqtari Selimi ka lidhje me kontakte të papërshtatshme, të përfshirë në trafik droge. Po ashtu, nga verifikimet në sistemin TIMS, rezultoi se gjyqtari ka udhëtuar më shumë se njëherë me një shtetas që ka pasur probleme me policinë dhe ka qenë në masën e sigurisë “arrest në burg”.
Gjyqtarët Artan Broci e Artan Zeneli u shkarkuan për deklarim të pasaktë të pasurisë dhe mungesë të burimeve të ligjshme për ta justifikuar atë.
Ndryshe nga gjyqtarët e tjerë të shkarkuar nga KPK, të cilët do të qëndrojnë në detyrë deri sa vendimi të marrë formë të prerë, anëtarët e shkarkuar të Gjykatës së Lartë nuk do ta ushtrojnë më detyrën e tyre, do të përjashtohen direkt nga çështjet dhe nga Dhoma e Këshillimit. Ata mund të rikthehen në detyrë vetëm nëse pasi apelojnë vendimin e KPK-së në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit, ky i fundit rrëzon vendimin e KPK-së dhe vendos konfirmimin në detyrë të gjyqtarëve.
Ky vendim për ndërprerjen e menjëhershme të marrëdhënieve të punës është marrë nga kreu i Gjykatës së Lartë Xhezair Zaganjori.