Pas shqetësimit të ngritur nga Exit për spastrimin etnik në Medgjevë, reagon Vjosa Osmani

Nga Exit News
Pas shqetësimit të ngritur nga Exit për spastrimin etnik në Medgjevë, reagon Vjosa Osmani Vjosa Osmani

Kryetarja e Parlamentit të Kosovës Vjosa Osmani ka akuzuar qeverinë serbe se po zbaton politika që synojnë pastrimin etnik të shqiptarëve që jetojnë në jug të Serbisë, në shkelje të të drejtave të njeriut.

Në një postim në Facebook të hënën, Osmani denoncoi politikat sistematike të qeverive serbe në dhjetë vitet e kaluara në qytetet e Medvegjës, Preshevës dhe Bujanoc në lidhje me arsimin dhe punësimin, shkeljen e të drejtave të njeriut për gjuhën e përfaqësimin dhe shtypjen e vazhdueshme nga regjimi serb, të cilat kanë çuar në ulje të numrit të shqiptarëve që jetojnë atje.

Në veçanti në katër vitet e kaluara, autoritetet serbe kanë fshirë më shumë se 4 mijë shqiptarë nga regjistri civil i komunës Medvegjë, e cila kishte më pak se 7500 banorë në total në regjistrimin e fundit në vitin 2011.

Osmani ka shprehur shqetësime të ngritura më parë edhe në Exit News nga studiues si Dr. Flora Ferati-Sachsenmaier, të cilët kanë shkruar se në vitet e fundit, po përdoret në nivele alarmante ‘pasivizimi i adresave’ të vendbanimit, një praktikë diskrimunuese ndaj komuniteti shqiptar në Serbi.

Ministria e Brendshme serbe kryen kontrolle të pa njoftuara nëse një qytetar jeton në një adresë të dhënë zyrtarisht si vendbanim i përhershëm. Nëse zyrtarët përfundojnë me vizitën e tyre pasi qytetari nuk gjendet në shtëpi ose nuk jeton më atje, ata automatikisht e “pasivizojnë” atë adresë. Ju mund të jeni me pushime, të studioni diku, të jeni në spital ose të jeni duke bërë pazar – por anjë nga këto nuk ka rëndësi: nëse nuk je në shtëpi kur vjen ministria për kontroll, adresa juaj fshihet.

Pasi ‘pasivizohet’ adresa, ai qytetar nuk ekziston më për shtetin serb. Kjo do të thotë që shqiptarët me nënshtetësi serbe nuk mund të rinovojnë më kartat e tyre të identitetit dhe pasaportat, të përdorin shërbime mjekësore ose të kenë asistencë sociale, të blejnë ose të shesin pronë, ose të votojnë në çdo lloj zgjedhjeje.

Qeveria nuk lëshon një dokument të shkruar për pasivizimin e adresës, duke parandaluar kështu qytetarët të ndërmarrin veprime ligjore kundër Serbisë për shkeljen e të drejtave të tyre dhe diskriminimin në baza etnike.

Procesi është dokumentuar në të tre komunat e banuara nga një numër i madh i shqiptarëve – Medvegja, Preshevë, Bujanoc – nga organizata të ndryshme që punojnë në Serbi dhe në vendet e tjera.

“Republika e Kosovës nuk mund të heshtë më! Adresimi i çështjes së lirive dhe të drejtave të njeriut të shqiptarëve në Luginën e Preshevës duhet të bëhet në të gjitha instancat, brenda dhe jashtë vendit. Ky nuk është thjeshtë një problem i izoluar: veprimet e shtetit serb karshi shqiptarëve të Luginës ngërthejnë në vete shkelje fundamentale të të drejtave të njeriut. Një shtet që aktivisht angazhohet në spastrim etnik, edhe pse me metoda të ‘sofistikuara’ siç është pasivizimi i adresave, nuk e meriton anëtarësimin në BE,” përfundoi Kryetari i Parlamentit Vjosa Osmani në fjalinë e saj të plotë.

Në një postim në Tëitter, Osmani i bëri thirrje bashkësisë ndërkombëtare të veprojë urgjentisht për këtë çështje.

tw vj

Adresa juaj e emailit nuk do bëhet publike.

Lajme te ngjashme