Një ditë pas bërjes publike se kompania amerikane DH Albania që ka fituar tenderin për ndërtimin e një segmenti të Unazës së Re, ka falsifikuar dokumentet, Autoriteti Rrugor Shqiptar njoftoi sot pezullimin e përkohshëm të punimeve.
Me anë të një njoftimi për qytetarët, ARRSH lajmëron se:
“Deri në sqarimin e situatës dhe përgjigjen nga autoritetet amerikane nuk do të vijohet me aktivitetin ndërtimor të kësaj kompanie për lotin Nr.1 të segmentit, që shtrihet nga Ura e Lanës deri tek mbikalimi i sheshit Shqiponja.”
ARRSH sqaron se nuk ka patur ndonjë indicie që vë në dyshim vërtetësinë e dokumentave të paraqitura nga kompania, ndaj nuk ka bërë asnjë verifikim paraprak, por tashmë që një investigimi Të Paekspozuarit ëshë bërë publik, ARRSH “i është drejtuar institucioneve që përmes komunikimit me rrugë zyrtare tu kërkohet autoriteteve të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të verifikuar dokumentet e paraqitura në institucionet shqiptare nga kompania në procedurën e garës.”
Informacioni se kompania DH Albania është regjistruar në një parajsë fiskale, në shtetin Delaware të SHBA-ve, me përfaqësuese ligjore Nesha Lynn Kumar, shtetase dhe banore e Ishujt Sejshell dhe kishte të gjithë gjasat të ishte një kompani rafti—kompani pa aktivitet, e krijuar për t’u shitur në letër, është bërë publik që më 11 nëntor. Por megjithatë Autoriteti Rrugor Shqiptar nuk ndërmori asnjë verifikim gjatë gjithë këtyre javëve.
Kompanitë ‘Biba-X’ dhe ‘DH Albania’ u shpallën fituese të tenderit me vlerë 18 milionë euro për ndërtimin e segmentit Pallati me Shigjeta-Sheshi Shqiponja, pjesë e Unazës së Re.