Pas Tiranës, dhe Bashkia Durrës kërkon heqjen e depozitave të ujit nga tarracat

Nga Redaksia
Pas Tiranës, dhe Bashkia Durrës kërkon heqjen e depozitave të ujit nga tarracat

Pas Bashkisë së Tiranës, edhe ajo e Durrësit do të urdhërojë heqjen e depozitave të ujit nga tarracat e pallateve.

Emirjana Sako, Drejtore e Shërbimeve dhe Punëve Publike në bashki, tha se bashkia po punon për të hartuar bazën ligjore për këtë nismë:

“Bashkia po harton një propozim për Këshillin Bashkiak që të miratojë një nisëm për administratorët e objekteve të banueshme që të bashkëpunojnë me qytetarët për të hequr depozitat nga tarracat e pallateve. Që pas tërmetit të 26 nëntorit kemi pasur shumë ankesa nga qytetarët mbi rolin e depozitave dhe si duhet të veprojnë me to në mënyrë që pesha e tyre të mos ndikojë në dëmtimin e pallateve.”

Prej vitesh mungesa me furnizim të rregullt me ujë ka bërë që qytetarët të vendosin depozita, kryesisht në tarracat e pallateve. Mirëpo situata e tërmeteve të 21 shtatorit dhe 26 nëntorit nxori në pah dëmet që ato mund t’i sillnin strukturës së tarracës së pallateve.

Por ndryshe nga Tirana, në të cilin bashkia ka bërë të detyrueshme pasjen e administratorëve në çdo pallat, në Durrës ata mungojnë.

Lidhur me këtë problem Sako u shpreh:

“Atëherë procesi do të nisë nga pallatet me administratorë dhe duhen ndërmarrë strategji për të caktuar administratorët në pallate dhe nisma informuese për qytetarët, pasi ky është një detyrim ligjor. Është dhe një detyrim qytetar për të bashkëpunuar për këtë çështje. Bashkia Durrës do të asistojë për të vendosur një hapësirë në bazamentin e objektit ku të përqëndrohen depozitat e reja.”

Në Bashkinë Tiranë, prej 2 javësh, është vendosur heqja e depozitave nga tarracat e pallateve dhe në disa lagje puna ka nisur.

Banorëve i është lënë kohë deri më 30 janar që në bashkëpubim me administratorët të gjejnë zgjidhje për depozitat e tyre. Pas 30 janarit, bashkia ka paralajmëruar heqjen e depozitave nga Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit dhe policia bashkiake.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>