Pas “vandalë” e “qenëri”, tani Veliaj i quan banorët e Tiranës “shpellarë”

Pas “vandalë” e “qenëri”, tani Veliaj i quan banorët e Tiranës “shpellarë”

Është bërë tashmë e zakonit që Kryebashkiaku Veliaj të ofendojë këdo që guxon ta kundërshtojë apo të protestojë kundër projekteve të bashkisë e qeverisë.

Sot, Kryebashkiaku Veliaj iu drejtua banorëve të zonës së Astirit, të cilët po protestojnë kundër prishjes së shtëpive të tyre për të ndërtuar Unazën e Madhe, me fjalën “shpellarë”. Ai tha:

“Po çfarë, do mbetemi në ‘epokën e gurit’? Pse? Se disa njerëz që kanë zaptuar aty nuk pranojnë kompensimin që po u japim? S’ka shans!

Sot dhe romët jetojnë më mirë, janë bërë njerëz.

S’i t’ia shpjegoja sot ish-guvernatorit të Salzburgut?  Kishte ardhur e gjithë Europa të shikonte zhvillimet në Tiranë…që çfarë? Që një pjesë e jona ka parti politike shpellare që shqyejnë godina, që dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet? Si t’i them dikujt që vjen nga Lioni? Si t’i them dikujt që vjen nga Barcelona? Që ne kemi akoma specie primitive që përfaqësojnë parti politike sot e që dhunojnë njerëzit që punojnë për këtë qytet?”

Me të njëjtën arrogancë dhe përbuzje ai ju drejtua edhe në:

Gusht 2018, artistëve e aktivistëve, të cilët protestonin kundër ligjit special për Teatrin. Veliaj i quajti ata ‘cirk e bandë kllounësh’:

“Për çdo projekt në Tiranë del një minorancë e zhurmshme. Bërtasin shumë për të të krijuar idenë, por po të fillosh t’i shohësh janë pjesë e një cirku kronik, një cirk shëtitës që vjen nëpër qytet, ish-drejtorë naftë, ish-politikanë të dështuar, ish-aktivistë të shoqërisë civile që edhe pse janë 50-60 vjeç vazhdojnë merren me kalamajtë, pra është një bandë kllounësh që është prezente sa herë vjen cirku në fshat. E meqë cirku erdhi në fshat dhe po zhvillohet tek Teatri, kjo bandë e kllounëve paraqitet menjëherë në gadishmëri të cirkut të radhës.”

Korrik 2017, qytetarëve, të cilët protestonin kundër rritjes së çmimit të ujit, duke i quajtur ata ‘qenëri’:

“Unë nuk dorëzohem. Ta di që e gjithë qenëria e Tiranës të më vihet pas, unë për një gjë që është e drejtë dhe që është shpëtim për këtë qytet, unë nuk i ndahem.”

Shkurt 2016, qytetarëve që kundërshtuan paligjshmërinë e ndërtimit të këndit të lojërave brenda në Parkun e Liqenit, duke i quajtur ata ‘vandalë’:

“Sot, një grup i vogël njerëzish, me veprime vandalësh, u përfshinë në dëmtime masive të pronës publike, të pronës së përbashkët të të gjithë qytetarëve të Tiranës, duke sulmuar e prishur objekte për të penguar sërish punimet për Parkun e Lodrave të Fëmijëve. Një minorancë e zhurmshme po i kundërvihet aspiratave të shumicës së qytetarëve që e duan zhvillimin e qytetit.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>