Kryebashkiaku Erion Veliaj bisedoi dje në mbrëmje me gazetaren Ilva Tare në emisionin Tonight. Ndryshe nga herët e tjera, intervista nuk u zhvillua në studion televizive, por në tarracën e Bashkisë, që tashmë prej kohësh i reklamohet qytetarëve si “tarracë e gjelbër”.
Gjatë gjithë intervistës, kamera, mes fjalëve të Veliaj për Tiranën si “Green City” dhe mbjelljen e pemëve, fokusohet dhe tek bimët dekorative mbjellë në saksi e në bordurën e tarracës, dhe tek një tapet bari që nuk dallohet nëse është sintetik apo natyral.
Qëllimi i intervistës në tarracë duket shumë i qartë: Kryebashkiaku Veliaj pasi mbolli qindra mijëra pemë – shoqëruar me kamera kudo ku mbillej qoftë dhe një pemë, tani po mbjell dhe tarracat e ndërtesave, për ta bërë Tiranën një qytet të gjelbër.
E gjithë situate duket si një tallje me qytetarët e Tiranës, që përditë shohin t’i betonizohet parqet dhe ato pak hapësira të mbetura të lira, të kthehen në kulla betoni. Si gjithnjë Veliaj nuk flet për këto vendime të tijat si kryebashkiak, por vetëm për “tarracat e gjelbërta” me bar sintetik që po do e kthejnë të gjithë qytetin në “një park të madh”.
Por mbi të gjitha që ndërtesa e Bashkisë Tiranë të ketë një tarracë reale të gjelbër, duhen plotësuar disa kushte të caktuara ndërtimi dhe izolimi.
Minimalisht një tarracë/çati e gjelbër duhet të ketë, të paktën, këto elementë/shtresa:
– Hidroizolim të veçantë në bazën e tarracës/çatisë
– Një shtresë/membranë izoluese ndaj ujit
– Një shtresë kulluese që shërben për drenazhimin e ujit që arrin në këtë thellësi dhe kanalizimin e tij në tubat e shkarkimit
– Një shrese filtrimi/ventilimi
– Një shtresë dheu dhe materialesh të tjera që shërbejnë për mbjelljen dhe ushqimin e bimësisë
– Bimësia
Tarracat e gjelbërta janë shpikur (në Gjermani, në vitet 1960-të) dhe përdoren në shumë vende, kryesisht, për kufizimin e përmbytjeve, duke qënë se ato thithin dhe mbajnë një pjesë të ujrave të shirave—një tarracë e gjelbërt mund të mbajë deri 40 për qind të rreshjeve dimërore dhe deri 70 përqind të atyre verore.
Tarraca e gjelbërt është një sistem i sofistikuar dhe shumë i shtrenjtë, e ka pak gjasa të aplikohet në Shqipëri në të ardhmen e afërt.
Kostoja e ndërtimit të një çatie të tillë varion nga 150-300 dollarë për m2 për sistemet e thjeshta dhe mund të shkojë deri në 3 mijë dollarë për m2 për sistemet e posaçme.
Mbi të gjitha, ato nuk mund të instalohen në çdo lloj terrace, por kërkojnë kushte të caktuara ndërtimi dhe izolimi, që një ndërtesë e vjetër si ajo e bashkisë, me shumë gjasa nuk i ka.