Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu ka justifikuar policin që u filmua duke dhunuar një 15 vjeçar.
Veliu publikoi një video të mamasë së viktimës për të treguar “se nga çfarë familje vjen ky djalë.”
Pamjet tregojnë mamanë e 15 vjeçarit, Zaida Çobo që i vendos pistoletën në kokë një zonje.
“Kjo është mamaja e djalit me pistoletë në dorë. Jua tregova për të thënë se nga çfarë familje vjen ky fëmijë, sa i edukuar është. Tek e fundit policia si gjithmonë bëhet viktimë” – tha Veliu.
Por Zaida Çobo tha për ABC News se skena me pistoletë ka ndodhur gjatë xhirimit të filmit “Dashuria s’mjafton” të regjisorit Drilon Hoxha.
Partia Demokratike kërkoi shkarkimin e Veliut pas publikimit të videos. Ish-deputetja e PD-së, Orjola Papmuri e quajti ‘dhunim për herë të dytë të viktimës’ deklaratën e Veliut.
Por kreu i policisë e quajti “deformim të nxjerrë jashtë konteksti” atë që po i bëhet mesazhit të tij.
“Kam bërë një ilustrim të idesë se nuk mundet të fajësohet gjithnjë e vetëm punonjësi i Policisë duke u kapur pas një fotoje të rastit, pa konsideruar tërë kontekstin e një situate,” – shkruan Veliu.
Në fakt denoncimi u bë me video, jo foto. Policia e Shtetit dukshëm dhunon fizikisht 15 vjeçarin në këtë video. Ndërsa Veliu bëri publike videon e mamasë së viktimës në Komisionin e Sigurisë për të treguar “edukatën e tij”.
Pavarësisht kësaj, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë e quan veten të keqkuptuar. Madje, paaftësinë e tij për t’u shprehur saktë, nuk e sheh si arsye të mjaftueshme për t’u gjykuar nga qytetarët.