Duke shkruar prej kohësh se si reforma në drejtësi, e mbështetur nga BE, ka shkatërruar themel shtetin e së drejtës në Shqipëri, jam ndjerë shpesh si një zë i vetmuar në shkretëtirë.
Asnjë nga aktorët e reformës në drejtësi Bashkimi Evropian, qeveria shqiptare, apo dhe opozita—nuk duken të aftë për të bërë një hap pas dhe të vlerësojnë shkatërrimin absolut që kjo reformë i ka shkaktuar shtetit shqiptar, i cili po shkon i sigurt nën sundimin e një partie, me sistemin e drejtësisë pa nivel të lartë, të paralizuar dhe të politizuar krejtësisht.
Studiuesi gjerman Martin Mendelski ka kryer një studim pesëvjeçar mbi efektet e dëmshme të nismave për reforma në drejtësi në Evropën Qendrore dhe Lindore.
Gjetjet e studimit të tij mbështeten në njohjen e tij të thellë të trajektores së reformave në drejtësi në vende si Polonia, Rumania dhe Moldavia, por ato janë të zbatueshme edhe në Shqipëri. Këto gjetje na japin mundësinë të kuptojmë çfarë nuk po ecën mirë në Shqipëri në këto momente.
Në përkufizimin e Mendelskit, shteti i së drejtës përbëhet nga katër elemente:
- ligjshmëria formale: niveli i qëndrueshmërisë ligjore, koherenca, parimet e përgjithshme dhe zbatimi i tyre;
- ligjshmëria thelbësore: prania e ligjeve të mira që sigurojnë disa parime (të drejtat e civile, politike dhe socio-ekonomike);
- kapaciteti i gjyqësorit: bazat, mjetet, dhe burimet e kërkuara për të krijuar një sisitem gjyqësor të aftë;
- paanshmëria e gjyqësorit: zbatimi i paanshëm dhe objektiv i ligjit nga gjyqtarë të pavarur, të paanshëm dhe të përgjegjshëm, të cilët drejtohen vetëm nga ligji.
Këta katër elemente ndërveprojnë me njëri-tjetrin në mënyrë të pandërprerë, dhe në një shoqëri ku sundon shteti i së drejtës ato përforcojnë njëra-tjetrën.
Mendelski përdor termin “patologji të europianizimit” për rezultatet e procesit të reformës në drejtësi në vende ku shteti i së drejtës është i dobët (si Shqipëria), të cilat ndikojnë negativisht në ligjshmërinë formale dhe në paanshmërinë e gjyqësorit.
Nga ana tjetër, ato ndikojnë pozitivisht në ligjshmërinë thelbësore dhe në kapacitetet e gjyqësorit. Por sidoqoftë, rezultati i përgjithshëm është dobësimi i shtetit të së drejtës.
Me të vërtetë, pjesa më e madhe e ligjeve të reja, të miratuara në Shqipëri si pjesë e paketës së reformës në drejtësi, ka ndikuar në mënyrë pozitive në ligjshmërinë thelbësore. Pavarësia e gjyqësorit është forcuar përmes ligjeve dhe institucioneve të reja të krijuara.
I gjithë procesi kishte për qëllim arritjen e acquis communautaire, përputhjen e ligjet shqiptare me ato evropiane, çfarë është parimi kryesor orientues për çfarëdo reforme drejt anëtarësimit në BE. Edhe kapacitet e gjyqësorit u përmirësuan, të paktën në letër, duke rritur pagat e magjistratëve dhe duke sanksionuar ligjërisht vetëqeverisjen e sistemit të drejtësisë.
Por kundër këtyre ndryshimeve pozitive kanë vepruar duke i dëmtuar ato tre patologjitë e europianizimit të Mendelskit:
- duke vlerësuar sasinë në kurriz të cilësisë;
- duke fuqizuar aktorë partiakë si “agjentë vendorë të ndryshimit”;
- duke e vlerësuar në mënyrë të anshme gjendjen e shtetit të së drejtës.
Të treja këto patologji janë krejtësisht të qarta në Shqipëri.
Paketa ligjore e zbatuar si pjesë e reformës në drejtësi ishte masive, por jo koherente. Për shembull, përsa i përket përkufizimit të saktë të vetingut. Përfundimi është se institucione të ndryshme qeverisëse të drejtësisë kanë përdorur përkufizime të ndryshme dhe kundërshtuese për konceptin e vetingut.
Aspekte të tjera të procesit të vetingut, përfshi mënyrën si është bërë vetingu, apo rolin e saktë të vëzhguesve ndërkombëtarë, mbeten ende të paqarta.
Të gjitha ligjet në lidhje me drejtësinë që miratoi pas vitit 2016 Partia Socialiste me shumicën e saj absolute ishin të mangëta dhe u deshën të rregulloheshin me një sërë ndryshimesh ligjore në korrik 2019.
Megjithatë, Komisioni Evropian ka vlerësuar vazhdimisht faktin se reforma po zbatohet masivisht, pa i kushtuar rëndësi cilësisë së përmbajtjes së saj.
Për më tepër, çështja e “sasisë përkundrejt cilësisë” vihet re edhe tek deklaratat e BE-së dhe të SHBA-ve për kapjen e “peshqve të mëdhenj“, si dhe tek theksimi me krenari i numrit të lartë të magjistratëve të shkarkuar si rezultat i vetingut. Asnjë nga këto fakte nuk thotë asgjë për cilësinë e reformës.
Në lidhje me patalogjinë e dytë, “fuqizimin e aktorëve partiakë si ‘agjentë vendorë të ndryshimit’” na duhet të themi pak më shumë.
Delegacioni i BE-së dhe Komisioni Evropian kanë mbështetur vazhdimisht qeverinë Rama si “agjentin kryesor të ndryshimit”, pavarësisht mungesës së hapur të respektit për shtetin e së drejtës nga ana e tij dhe përpjekjeve të qarta për të instrumentalizuar sistemin e drejtësisë, me qëllim mbrojtjen e politikanëve socialistë dhe vendosjen e figurave “miqësore” në të gjitha nivelet e gjyqësorit.
Në ketë linjë, qasja që ndoqi BE ndaj zgjedhjeve vendore antikushtetuese të 30 qershorit dhe mbështetja e heshtur e saj për Ligjin Special për Teatrin Kombëtar, forcojnë edhe më shumë idenë se BE-ja favorizon Ramën.
Sërish Mendelski:
“BE-ja (me gjithë retorikën e saj për paanshmëri dhe mosndërhyrje) në realitet ka mbështetur vazhdimisht agjentët e vet liberal të ndryshimit. Në këtë mënyrë BE-ja i ka dobësuar disa nga “kujdestarët e shtetit të së drejtës” (p.sh. Këshillin Gjyqësor dhe Gjykatën Kushtetuese), veçanërisht kur ato kanë qenë nën kontrollin e kundërshtarëve të reformës.”
Në fund arrijmë tek “vlerësimi i njëanshëm i gjendjes të shtetit të së drejtës”. Ne kemi shkruar shpesh për standardet e dyfishta të BE-së dhe hipokrizinë e saj për çështjet e shtetit të së drejtës, si për shembull, në rastin e përfshirjes së Partisë Socialiste në blerjen e votave dhe shantazhimin e votuesve gjatë zgjedhjeve në bashkëpunim me grupe kriminale, si dhe dhunën e policisë ndaj protestuesve të opozitës dhe shoqërisë civile.
Raportet e përparimit të Komisionit Evropian në mënyrë të vazhdueshme nuk raportojnë për ndonjë problem serioz lidhur me shtetin e së drejtës në vend. Si rezultat, barra i bie parlamenteve të shteteve evropiane të japin ‘lajmet e këqija’ se Shqipëria në fakt po bën hapa pas.
Ndërthurja e këtyre tri patologjive çon në një rreth vicioz, ku, në rastin më të mirë, shteti i së drejtës është i dobët, dhe, në rastin më të keq, ai dobësohet edhe më shumë nën ndikimin e reformave të detyruara nga BE-ja, sikurse shpjegon Mendelsiki:
“(1) Kushtet e pafavorshme të vendit (sundimi i dobët i ligjit) → (2) Qasje patoligjike reforme ndaj reformuesve vendas, përfshi politizimin dhe instrumentalizimin e skajshëm → (3) Pushtet patologjik të BE-së, e cila është partiake dhe e paqëndrueshme → (4) Krijim/përforcimi të patologjive, siç janë paqëndrueshmëria juridike, pabarazia juridike dhe politizimi i shtuar → (5) Dobësim të ligjshmërisë formale dhe paanshmërisë gjyqësore, duke dëmtuar kështu shtetin e së drejtës → (1) Dobësim absolut të sundimit të ligjit.”
Për fat të mirë, Mendelski na ofron disa sugjerime se si mund të përmirësohet reforma në drejtësi, e cila aktualisht po dështon:
“Së pari, BE-ja duhet të bëhet më e qëndrueshme dhe jopartiake në vlerësimin e saj për qeveritë. Në veçanti, BE-ja nuk duhet të heshtë kur elitat “liberale” pro-BE-së të shteteve (ish)kandidate apo të anëtarësuara politizojnë sistemin gjyqësor dhe institucionet horizontale të llogaridhënies. […]
Së dyti, kushtëzimet e BE-së duhet ta zhvendosin fokusin nga rezultatet sasiore drejt proceseve cilësore. Në veçanti, BE-ja nuk duhet t’i lidhë kushtet me rezultate specifike të reformës apo me referenca sasiore (p.sh. çuarja përpara drejtësisë e kriminelëve të luftës, rritja e numrit të hetimeve kundër korrupsionit të zyrtarëve të lartë, rritja e numrit të ligjeve të miratuara apo e praktikave të para të mira).”
Mbetet të shpresojmë se këto këshilla të vlefshme nuk do të bien në vesh të shurdhër.