Për herë të parë në Asamblenë Kombëtare të Partisë Socialiste u fol për patronazhistët ndërsa u vlerësua si “shumë i rëndësishëm” roli i tyre në rezultatin e zgjedhjeve të 25 prillit.
Mbledhjen e Asamblesë e hapi sekretari i përgjithshëm, Taulant Balla i cili e nisi fjalën e tij duke uruar anëtarësinë dhe patronazhistët për fitoren e mandatit të tretë.
Për patronazhistët foli edhe sekretari organizativ, Arben Pëllumbi duke quajtur faktor të rëndësishëm të fitores.
“Anëtarësia aktive e partisë sëbashku me përkrahësit më me ndikim në komunitete të aftë në proceset elektorale, u ngarkuan me detyrën e patronazhistit të cilët përbënë bazën e strukturës së piramidës elektorale të partisë”, tha ai.
Termi patronazhist doli pas publikimit të një bazë të dhënash që pretendohet se ishin marrë nga Regjistri i Gjendjes Civile dhe institucione të tjera publike, nga Partia Socialiste për t’u përdorur në fushatën zgjedhore.
Që prej atëherë ata janë përmendur nga përfaqësuesit Partisë Socialiste dhe janë vlerësuar për rolin e tyre në fushatë.
Më herët kryeministri Rama ka thënë se “patronazhisti është shkolla e parë e politikës”.
Një javë më parë presidenti Meta i ka kërkuar SPAK të hetojë nxjerrjen e bazës së të dhënave duke e quajtur ‘skandal’ fenomenin e patronazhistëve.