Shqipëria është vendi me rritjen më të lartë të taksave në vitin 2015. Ky është konkluzioni i raportit Pagesa e Taksave 2016 (Paying Taxes 2016) të Bankës Botërore. Rritja ka ardhur si pasojë e dyfishimit të taksës mbi pasurinë dhe rritjes me 50 përqind të taksës së fitimit të kompanive (nga 10 për qind në 15 për qind ).
Raporti e rendit Shqipërinë si një ndër vendet me sistemin tatimor më pak efiçent në botë, në vendin e 142-të nga 189 vende të vrojtuara. Në mënyrë të veçantë, Shqipëria paraqitet më keq se pothuajse të gjitha vendet e tjera të rajonit në fushën e taksave. Raporti konstaton se:
- Në Shqipëri taksat zënë 36,5 për qind të të ardhurave të biznesit, tre herë më shumë se në Maqedoni (12,9 për qind), dhe më shumë se dy herë më shumë se në Kosovë (15,2 përqind).
- Një biznes në Shqipëri duhet të bëjë 34 pagesa taksash në vit. Në Maqedoni, bizneset bëjnë vetëm 7 pagesa vjetore.
- Koha që harxhon një biznes për pagimin e taksave në Shqipëri është 357 orë në vit, gati tre herë më e lartë se në Maqedoni (119 orë) dhe më shumë se dy herë më e lartë se në Kosovë (155 orë).
Raporti Paying Taxes përpilohet çdo vit nga Banka Botërore dhe vlerëson të dhënat për sistemin e taksave në 189 vende të botës. Tre treguesit e marrë në shqyrtim janë numri i taksave, koha e shpenzuar për pagesat e tyre dhe përqindja që zënë taksat në të ardhurat totale të biznesit.