Partia Demokratike akuzoi sot Kryeministri Rama për korrupsion në lidhje me projektin e stadiumit Arena Kombëtare, aktualisht stadiumi Qemal Stafa.
“Plani i Edi Ramës për rikonstruksionin e stadiumit Qemal Stafa është një skemë e mirëfilltë korruptive, projekti ndoshta më fitimprurës për të, miqtë dhe klientelën e tij. Rama kërkon ta kthejë stadiumin kombëtar në një qendër të madhe tregtare dhe biznesi, e ta trajtojë atë si pronën e tij, duke shpërndarë hapësirat sipas interesave personale,” u shpreh në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa.
Ajo paralajmëroi biznesmenët e interesuar për riskun që mund të sjellë pjesmarrja në këtë projekt, aspak serioz e të ligjshëm sipas PD-së. Në fund, zëdhënësja tha se PD mbështet idenë e një stadium serioz, me standarte olimpike, ku prioritet të jetë sporti dhe jo klientela e kryeministrit Rama.