Partia Demokratike akuzoi sot kryebashkiakun e Tiranës Erion Veliaj se i ka dhënë 3.4 milionë euro kompanisë së kryetarit socialist të Bashkisë Mat Agron Malaj përmes një tenderi klientelist.
Në një deklaratë për shtyp, zëdhënësja e PD, Ina Zhupa tha se tenderi për sigurinë e shkollave është bërë në shkelje të ligjeve.
PD sqaroi se më 24 dhjetor 2019, Bashkia Tiranë ka shpallur fituese të tenderit bashkimin e kompanive Global Security sh.p.k, ELEKTROSEK sh.p.k , PORT CONSTRUCTION sh.p.k, me përfaqesues kryesore në tender kompaninë Global Security sh.p.k. Kjo kompani ka qenë deri në nëntor 2019 në pronësi të Kryetarit të Bashkisë Mat Agron Malaj, moment në të cilin Malaj i ka transferuar të gjitha aksionet e kompanisë në pronësi të vëllai i tij Fatos Malaj.
Në garë morën pjesë dhe kompani të tjera, por asnjëra prej tyre nuk dorëzoi ofertë ose dokumente, duke u futur në garë me qëllimin e vetëm për t’i hapur rrugën fituesit të paracaktuar.
PD pretendoi se asnjëra prej kompanive të konsorciumit nuk plotësonin kriteret për të fituar tenderin.