
Partia Demokratike akuzon qeverinë Rama se po vjedh ‘në mënyrë skandaloze dhe të papranueshme’ me koncesionin e rrugës Milot-Fier.
Dorian Teliti, duke folur nga rrethrrotullimi i Thumanës, të enjten 9 korrik, tha se kostoja reale e një kilometri rrugë do të kushtojë deri në 20 milionë euro sepse pothuaj gjysma e segmentit prej 115 kilometrash është rrugë tashmë e ndërtuar:
“Qeveria ka lajmëruar se do të ndërtojë me koncesion rrugën Milot-Fier, pjesë e të cilës është dhe ky segment. Në pamje të parë, duket se kostoja shkon 10 milionë euro për kilometër, por, si ky, janë 62 kilometra nga 115 që parashikohet të jetë e gjithë rruga. Kjo bën që kostoja reale e 1 kilometri të jetë deri në 20 milionë euro.
Kjo është një vjedhje skandaloze dhe e papranueshme. Këtu rruga ekziston në formën e saj më të mirë, që prej vitit 2013, megjithëse qeveria nuk e mirëmbajti asnjëherë, siç nuk ka mirëmbajtur rrugë të tjera që i gjeti gati në çdo cep të vendit.
Kjo është vjedhja më e madhe e qeverisë në ikje. Edi Rama dhe Belinda Balluku i kanë shumëfishuar kostot për të rritur çmimin e kalimit të udhëtarëve. Çdo automjet që kalon në këtë rrugë, do të paguajë të paktën 17.4 euro për një udhëtim vajtje-ardhje, duke e bërë këtë një rrugë të florinjtë.”
Teliti theksoi se PD, sapo të vijë në pushtet do të shohë ligjshmërinë e këtij projekti dhe do ta anulojë atë nëse është i paligjshëm.