PD akuza Ramës: Po lironi kriminelë të rrezikshëm me garanci shtetërore

PD akuza Ramës: Po lironi kriminelë të rrezikshëm me garanci shtetërore

Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Rama se po liron nga burgu me garanci shtetërore kriminelë të rrezikshëm, që punojnë për të bërë vota për Partinë Socialiste.

Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi, në një konferencë për shtyp, përmendi lirimin nga burgu të Endrit Dokles, Lulzim Berishës, Genc Tafilit, Ilir Pajës, Viktor Ymerit, përmes uljes së dënimit dhe sigurimit të vendeve të punës, në disa raste edhe në administratën shtetërore.

“Askush nuk ka dyshimin më të vogël se lirimi nga burgu i bosëve të krimit të organizuar dhe vrasësve më të rrezikshëm është bërë me dijeninë e Edi Ramës,” deklaroi Zoti Bardhi.

Ai vazhdoi më tej:

“Të gjithë këta kanë punuar brenda dhe jashtë burgut për të bërë vota për Partinë Socialiste, për të mbajtur në pushtet Edi Ramën. Ata kanë bashkëdrejtuar piramidën shtetërore duke paracaktuar fituesit e tenderave dhe emërime kyçe në administratë. Për këtë ata janë duke u shpërblyer prej Edi Ramës me lirim të paligjshëm nga burgu, si pjesë e marrëveshjes së tij për bashkëqeverisje me krimin e organizuar.”

Sipas PD-së, reagimet e Ministrisë së Drejtësisë duke shkarkuar zyrtarët e burgut janë shfaqje teatrale:

“Deklarata e sotme e Ministres së Drejtësisë, është një akt i përsëritur, ku reagimi nuk vjen para se të merret vendimi, edhe pse ajo është në dijeni për të paraprakisht, por gjithmonë një javë pas lirimit.

Edi Rama dhe Etida Gjonaj duhet t’u shpjegojnë shqiptarëve pse nuk reaguan menjëherë, pasi bosi i krimit Lulzim Berisha u lirua me garanci të Vangjush Dakos?”

Zoti Bardhi paralajmëroi se edhe lirimi i një tjetër krimineli, Arben Grorit, po bëhet gati.  Arben Grori është dënuar për vrasje me paramendim dhe trafik droge dhe po vuan dënimin në burgun e sigurisë së lartë në Peqin.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>