Akuzat e PD: Prokuroria në karantinë, heshtje për tenderat sekret dhe korruptivë të qeverisë

Nga Exit News
Akuzat e PD: Prokuroria në karantinë, heshtje për tenderat sekret dhe korruptivë të qeverisë

Partia Demokratike akuzoi të martën drejtësinë se nuk po heton të gjithë tenderat sekret, të bërë nga qeveria gjatë pandemisë së Covid-19. Ish-deputetja Dhurata Çupi tha se megjithëse opozita ka paraqitur fakte konkrete, nuk ka asnjë zyrtar të lartë që është çuar para drejtësisë për abuzim dhe vjedhje.

Në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së, ish-deputetja Dhurata Çupi tha se KLSH po hesht përpara korrupsionit të qeverisë përmes tenderave sekretë dhe abuzive:

“Nga KLSH nuk ka një raport mbi tenderat sekrete në kohen e karantinës, ku opozita ka denoncuar abuzime marramendëse miliona euro të qeverisë, ndërkohë shqiptarët po vuajnë pasojat e mbylljes nga pandemia e COVID 19.

Qeveria ka vendosur që paratë e shqiptarëve t’i shpërdorojë duke u fshehur pas “tenderave sekrete” .

E përballë këtij hermetizmi për transparencë për publikun, edhe drejtësia është futur në karantinë dhe po hesht duke e lënë të lirë rrugën e abuzimeve të qeverisë me fondet publike.”

Duke iu referuar raporteve të mëparshme të KLSH-së, Dhurata Çupi tha se qeveria Rama ka vjedhur dhe shpërdoruar 6 miliardë euro në 7 vjet, duke e renditur Shqipërinë ndër vendet më të korruptuara në botë.

Tenderat më të sulmuar nga opozita javët e fundit janë ato të mjeteve mbrojtëse për mjekët, për respiratorët e spitaleve Covid dhe për ushqimet për familjet në nevojë, bërë nga Ministria e Mbrojtjes.

Të gjithë këto tendera janë klasifikuar si ‘sekret’ dhe PD pretendon se janë tendera abuzivë dhe korruptivë.

SPAK ka nisur hetimet për dy prej tenderave denoncuar nga opozita.

 

Lajme te ngjashme