Komisioni Qendror i Zgjedhjeve ka lejuar që në Vaun e Dejës të kryhet votim me fletë të falsifikuara dhe që nuk i dihet origjina.
Kështu denoncoi sot Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi në një konferencë për shtyp.
Zoti Bardhi tregoi dokumente që vërtetonin se materialet zgjedhore për në qendrat e votimit të Vaut të Dejës kanë kaluar doganën e Hanit të Hotit në orën 07:58 të mëngjesit të 30 qershorit, ndërkohë që votimi kishte filluar që në orën 07:00.
“Duke qenë se materialet zgjedhore u dogjën, KQZ vendosi në 28 qershor nxjerrjen jashtë përdorimit të të gjitha fletëve të votimit, dhe të gjitha materialet e tjera zgjedhore, përfshirë lista, vula etj.
Në orën 07:00 te 30 qershorit, u deklarua se edhe me angazhimin personal të deputetit Tom Doshi, gjithçka ishte në rregull, fletët kishin ardhur, materialet zgjedhore gjithashtu, dhe kishte nisur procesi i votimit në të gjitha QV e Bashkisë së Vaut të Dejës.
E gjitha është një gënjeshtër. Sipas dokumenteve zyrtare rezulton se fletët e votimit në orën 07.58 minuta të datës 30 Qershor kanë qenë ende në Doganën e Hanit të Hotit”, sqaroi Zoti Bardhi.
Ai i kërkoi KQZ-së të sqarojë qytetarët se “nëse në orën 8 të mëngjesit Fletët e Votimit ishin ende në Doganë, sot me çfarë fletësh votimi nisi procesi i votimit në orën 7.00?”
Pyetja tjetër e Bardhit drejtuar KQZ-së ishte se se kohë zgjati procedura e marrjes së materialeve në dorëzim nga KZAZ-të dhe më pas shpërndarja në çdo Qender Votimi?
“I gjithë dokumentacioni zyrtar mbi këtë çështje, fakton një skandal të jashtëzakonshëm, një proces privat dhe kriminal të kryer nga KQZ në bashkëpunim me KZAZ e Vaut të Dejës, për të cilën prokuroria duhet të kishte nisur menjëherë hetimet penale”,– përfundoi deklaratën Zotin Bardhi.