Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi akuzoi Ministrinë e Drejtësisë se po bllokon hetimet për kryebashkiakun e Vaut të Dejës Mark Babani i dyshuar për të shkuar kriminale.
Zoti Bardhi tha se Ministria e Drejtësisë prej një muaji e gjysëm ka bllokuar dërgimin e pyetjeve nga prokuroria shqiptare drejt insitucioneve italiane:
“Kjo vonesë ka ardhur për shkak të bllokimit nga Ministria e Drejtësisë, prej një muaji e gjysëm letërporosia e përgatitur nga prokuroria nuk i është dërguar autoriteteve italiane duke sjellë një zvarritje dhe duke lejuar një njeri në konflikt me ligjin të ushtrojë një funksion publik.”
Në shtator 2019, Partia Demokratike publikoi dokumentet që, sipas saj, vërtetojnë se Mark Babani është arrestuar dhe dënuar në Sicili, për vjedhje makinash.
PD publikoi të dhënat marrë nga regjistri i burgjeve në Itali ku Mark Babani ka përdor emrin e rremë Marq Babaj.
Mark Babani nuk e ka deklaruar këtë arrestim në formularin e vetëdeklarimit.
Në rast se akuzat e PD-së rezultojnë të vërteta, sipas ligjit për dekriminalizimin, Babani nuk mund të mbajë postin e kryebashkiakut të Vaut të Dejës, si dhe duhet të ndiqet penalisht për deklarim të rremë dhe falsifikim të formularit të vetëdekriminalizimit.
Mark Babani është kryebashkiaku i katërt socialist, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, që PD akuzon për fshehje të së shkuarës kriminale. Tre kryebashkiakët e tjerë janë Valdin Pjetri i Shkodrës, Agim Kajmaku i Vorës dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.