PD akuzon Prokurorin e Përgjithshëm Olsian Cela se po pengon procesin e dekriminalizimit për 2 kryebashkiakë, përkatesisht Mark Babani i Vaut të Dejës dhe Qerim Ismailaj i Mallakstrës.
“Për fat të keq, konstatojmë se me ardhjen tuaj në krye të Prokurorisë së Përgjithshme, procesi i verifikimit të figurës së zyrtarëve publikë është frenuar dhe ju jo vetëm keni deformuar/ndryshuar mënyrën e zbatimit të ligjit (siç ishte rasti i shtetasit Agron Malaj), por po pengoni tërësisht zbatimin e ligjit të dekriminalizimit”, shkruhet në letrën dërguar Prokurorit të Përgjithshëm nga Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazmend Bardhi.
Në letër Bardhi i kërkon prokurorit të përgjithshëm:
— Informacion të detajuar për të gjitha veprimet administrative që janë kryer deri në këtë moment ndaj Mark Babanit dhe Qerim Ismailajt.
— Informacion mbi fazën në të cilën ndodhet procesi i verifikimit dhe arsyet e vonesës 1 vjeçare.
— Përmbylljen e procesit të verifikimit dhe një reagim institucional të shpejtë nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, me synim që të arrihet qëllimi kryesor që ka ligji i dekriminalizimit, të largojë personat me të kaluar kriminale, duke i penguar që të marrin vendime për qytetarët apo të ndikojnë në zgjedhje.