
Partia Demokratike e komentoi emërimin e Artur Metanit në krye të Inspektoriatit të Lartë të Drejtësisë (ILD) si vulosjen e dështimit të reformës dhe kapjes së sistemit nga politika.
Përmes një deklarate të shpërndarë për mediat, PD theksoi se emërimi i Metanit është në shkelje të Kushtetutës dhe ligjit pasi “është emërim partiak”.
“Artur Metani, që duhet të garantojë pavarësinë e drejtësisë nga politika, u emërua sot në kundërshtim me Kushtetutën dhe ligjet. […] është emërim partiak në një nga pikat kyçe të sistemit të drejtësisë, që verifikon dhe nis hetime për të gjithë gjyqtarët, prokurorët, si dhe për anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqesor dhe atë të Prokurorisë.”
Në deklaratën e PD-së Metan etiketohej si “vartës partiak” i Kryeministrit Rama i cili:
“[…] nuk do t’i shërbejë drejtësisë së pavarur. Ai është emëruar aty për të qenë shërbëtor i Edi Ramës. Me këtë emërim Edi Rama investohet personalisht kundër prokurorëve dhe gjyqtarëve që gjykojnë dosjet e korrupsionit, vjedhjen e votave nga qeveria e Edi Ramës apo lidhjet e tij me krimin e organizuar.”