Partia Demokratike propozon që Bashkia Tiranë të pezullojë shlyerjen e taksave vendore, parashikuar për t’u paguar më 20 prill, si masë lehtësuese për bizneset, të cilat kanë mbyllur aktivitetin në këtë periudhë epidemie nga koronavirusi.
Zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa, u shpreh se për ta kaluar sa më lehtë situatën, është e domosdoshme të mbështeten qytetarët dhe bizneset:
“[…] për këtë është e nevojshme të ndërmerren disa masa ekonomike nga pushteti lokal.”
Si masë ekonomike, PD propozon:
“Pezullim të këstit të parë të taksave dhe tarifave vendore, për bizneset, e cila duhet paguar më 20 prill 2020.”
Zhupa kujton se Bashkia ka rritur taksat me 33 për qind nga viti i kaluar. Ajo pohon pezullimi i propozuar nga PD është i nevojshëm sidomos për bizneset e vogla, të cilat janë shumë më të varura nga të ardhurat ditore të aktivitetit, aktivitet që aktualisht është mbyllur për shkak të epidemisë.
PD kujton se pavarësisht mbylljes së aktivitetit bizneset duhet që
“[…] shumë nga detyrimet mujore [si pagat, apo qiratë] t’i kryejnë gjithsesi, që që rëndon pozitën e tyre financiare.”
Ditët e fundit opozita i ka kërkuar qeverisë të marrë masa ekonomike dhe sociale për të parandaluar falimentimin e bizneseve.