Partia Demokratike ka sulmuar qeverinë për koncesionin e pompave të karburanteve. Ish-deputeti demokrat Agron Shehaj, në një konferencë për shtyp nga selia e PD-së u shpreh se koncesioni i pompave të karburanteve është në shkelje të ligjit dhe në dëm të interesit publik.
Deri më sot, kontrolli i pompave të karburantit bëhet nga Drejtoria e Metrologjisë. Ajo bën dy herë në vit kontrollin në pompat e gazit, naftës apo çdo lloj karburanti dhe kolaudon pompat në pikat e shitjes për të verifikuar që nuk janë të manipuluara. Qeveria mbledh pothuajse 60 euro për çdo kontroll, në total rreth 5 milionë euro në vit.
Por, Ministria e Financave vendosi t’ia japë shërbimin një kompanie private, Noa Control, me koncesion 20 vjet. Deri më sot Ministria nuk ka bërë publik asnjë analize kosto/përfitim mbi këtë vendim, duke shkelur haptazi ligjin për koncesionet.
Sipas Shehajt, pavarësisht se Gjykata urdhëroi ministrinë e Financave që të hapte tender të ri dhe të ndryshonte kriteret për kompaninë fituese, pasi kushtet e vëna në tenderin e shtatorit 2018 ishin abuzive dhe paracaktonin fituesin — Ministria e Financave nuk e ka zbatuar vendimin e gjykatës. Ajo shpalli fituese të tenderit të vetmen kompani që mori pjesë në tender.
Sipas kontratës, investimi privat është rreth 600 mijë euro, ndërsa përfitimi, në rast se çmimi nuk ndryshon është rreth 100 milionë euro në 20 vite, pa marrë asnjë risk mbi vete.
Pas denoncimit të PD-së, reagoi Ministria e Financave, e cila me një shpjegim të gjatë, pohoi se kompania nuk do të ndryshojë tarifën e sheërbimit, çfarë do të thotë se nuk do të ketë ndikim në çmimin e naftës.
Si dhe, sqaroi se “mund të prishë menjëherë dhe pa pasoja kontratën në rast të konstatimit të shkeljeve nga koncesionari gjatë kryerjes së shërbimit.” Ky pohim i Ministrisë së Financave fsheh faktin se konçesionari mund ta hedh në gjyq qeverine. Siç ështeë treguar edhe në rastin Becchetti, ku qeveria Rama prishi kontrata koncesionare dhe për këtë u dënua me 111 milionë euro gjobë.
Pohimeve të mësipërme të MEF iu përgjigj sërish, ish deputeti Shehaj. Ai tha se:
“Koncesioni i pompave të naftës është bërë vetëm për të vjedhur. Prapa tij qëndrojnë të afërm të Kryeministrit Rama, i cili është personi i vërtetë që ka urdhëruar këtë grabitje”.