PD denoncon kryebashkiakun e pestë me të shkuar kriminale, Agron Malajn e Matit

PD denoncon kryebashkiakun e pestë me të shkuar kriminale, Agron Malajn e Matit

Partia Demokratike i kërkoi sot prokurorisë verifikimin e të shkuarës së kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, pasi ka dyshime se ai është i dënuar me vendim të formës së prerë.

Në një deklaratë për shtyp, Sekretari i Përgjithshëm i PD-së Gazment Bardhi publikoi vendimin e gjykatës, sipas së cilit Malaj është dënuar në vitin 1999:

“Agron Malaj rezulton se ndodhet në kushtet e ndalimit për të kandiduar në një funksion publik.

Ai është i dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë për armëmbajtje pa leje dhe i ndalohet kandidimi përjetë për një funksion publik.

PD i kërkon Prokurorisë së Përgjithshme dhe më pas KQZ të veprojë pa asnjë vonesë për administrimin e vendimit zyrtar të gjykatës së Matit dhe heqjen e mandatit për kreun e bashkisë së Matit Agron Malaj.”

Në rast se akuzat e opozitës verifikohen nga prokuroria, Agron Malaj nuk mund të shërbejë më si kryebashkiak.

Agron Malaj është kryebashkiaku i pestë socialist, i dalë nga zgjedhjet e 30 qershorit, që Partia Demokratike ka denoncuar për fshehje të së shkuarës kriminale.

Kryebashkiakët e tjerë janë Valdrin Pjetri i Shkodrës, Agim Kajmaku i Vorës, Mark Babani i Vaut të Dejës dhe Qerim Ismailaj i Mallakastrës.

Zoti Bardhi tha se të gjitha këto raste konfirmojnë se Rama ka ardhur në pushtet me mbështetjen e kriminelëve:

“Ky është rasti i pestë pas atij të Shkodrës, Vorës, vaut të Dejës dhe Mallakastrës, që konfirmon se Edi Rama ka ardhur në pushtet falë mbështetjes së krimit dhe ndan pushtet me krimin.”

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>