Partia Demokratike ka denoncuar të dielën se një pallat i dëmtuar nga tërmeti i 26 Nëntorit në zonën e Kombinatit në Tiranë, është prishur pa vendim të Këshillit Bashkiak.
Zëdhënësja e PD-së Ina Zhupa tha se pallati 140 në lagjen 6 është prishur nga Bashkia pa vendim të Këshilllit Bashkiak.
Sipas saj, kjo vë në rrezik të drejtën e pronës së qytetarëve të cilët kanë mbetur jashtë banesave të tyre dhe pretendojnë se nuk po u jepet zgjidhje për strehimin e tyre në bazë të vlerës së pronës së apartamentit që kishin.
Një banore e pallatit të prishur thotë se ata nuk kanë firmosur në asnjë dokument para prishjes së pallatit dhe shton se “po përfitojnë banorë të pallateve që nuk janë prishur”.
Zhupa akuzoi kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun e Tiranës, Erion Veliaj për shkelje të ligjit dhe shfrytëzimin e pasojave të tërmetit për propagandë.