PD denoncon se fondet e rindërtimit të banesave po përdoren për godina qeveritare

Nga Exit News
PD denoncon se fondet e rindërtimit të banesave po përdoren për godina qeveritare

Partia Demokratike ka akuzar kryeministrin Rama dhe kryebashkiakun Veliaj se po përdor fondet e rindërtimit për të ndërtuar godina qeveritare.

Ish-deputetja Jorida Tabaku është shprehur në një video-mesazh se “5 nga 12 godina te zona “5 maji” po kthehen në zyra luksi për “Hajdutët e Fatkeqësisë” në qeveri dhe bashki.”

Në zonën “5 Maji” do të ndërtohen 12 godina me vlerë 52 milion euro; godina të cilat duhet t’u përkisnin banorëve të dëmtuar nga tërmeti. Por nuk do të ndodhë aspak kështu, sepse fondet e rindërtimit, paratë e taksapaguesve shqiptarë do të shkojnë për një qëllim tinëzar, i cili ushqen me luks pushtetarë dhe qeveritarë të paskrupuj.”, tha Tabaku.

Një nga godinat që PD pretendon se do të ndërtohen në zonën “5 Maji” në Tiranë është ajo e Drejtorisë së Përgjithshme të Tatimeve, e cila sipas Tabakut nuk ka pësuar asnjë dëmtim nga tërmeti i 26 nëntorit.

Përfaqësuesja e PD tregoi edhe një dokument ku tregohet se nga 12 godina që ndërtohen me fondet e rindërtimit 5 prej tyre sipas saj “do të rrëmbehen nga qeveria.”

Ky është një akt i paligjshëm, në kurriz të interesit publik. Pse duhet që qeveria dhe bashkia të uzurpojnë hapësirat që u takojnë qytetarëve, kur zyrat i kanë që tani shumë të rehatshme? A duan të lirojnë godinat në qendër të Tiranës për ta dhënë truallin për ndërtim kullash të tjera dhe pastrim parash?”, u shpreh ndër të tjera Jorida Tabaku.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>