Partia Demokratike akuzoi sot qeverinë Rama se ka blerë me çmim 4 herë më të shtrenjtë se çmimi në treg, kitet për testimin e personave me Covid-19.
Ky tender është pjesë e tenderave sekretë që ministria e Shëndëtësisë zhvilloi me urgjëncë më 21 mars.
Në një deklaratë për shtyp, ish-deputeti Enkeljed Alibeaj tha se qeveria ka blerë kite për testimin e qytetarëve me 4 fishin e çmimit të tregut: nga 2100 lekë që kushtojnë me pakicë, qeveria ka paguar 8500 lekë për një kit. Për të fshehur abuzimin, qeveria e ka klasifikuar këtë tender si sekret.
“Të blesh 4 herë më shtrenjtë një testim, do të thotë 4 persona më pak të testuar.
Ky është krim! Dhe kur krimin përpiqesh ta fshehësh me kontrata sekrete apo me mungesë transparence, ai bëhet edhe më i rëndë, sepse provon që është bërë me vetëdije për të vjedhur,” u shpreh Alibeaj.
Në emër të opozitës, ai i kërkoi qeverisë që të anulojë sa më parë këto tendera dhe të kthejë në buxhet paratë e paguara tepër dhe të vjedhura. PD propozoi që ato para, në vend që të shkojnë në xhepat e qeveritarëve të korruptuar dhe klientëve të tyre, t’u shkojnë menjëherë familjeve në nevojë dhe biznesit në krizë.
Disa ditë më parë, PD denoncoi dhe tenderin për blerjen e maskave dhe pajisjeve të tjera mbrojtëse, ku një maskë është blerë nga qeveria me 2-fishin e çmimit real, ndërsa veshjet spitalore për mjekët u blenë me 3-fishin e çmimit real.