PD dërgon në SPAK koncesionin e checkup-it

Nga Exit News
PD dërgon në SPAK koncesionin e checkup-it

Partia Demokratike njoftoi sot se do të dërgojë për hetim në Strukturën e Posaçme Anti-Korrupsion (SPAK) koncesionin e shërbimit të kontrollit shëndetësor njohur ndryshe si “checkup”.

Përmes një deklarate për shtyp të ish-deputetes Albana Vokshi, demokratët denoncuan me dokumente se koncesioni është korruptiv.

“PD ka vendosur të dorëzojë në SPAK provat e reja që disponon dhe që provojnë se koncesioni [ i checkup-it] manipulon formularët ndër vite për bërjen e analizave. Këto të dhëna (kliko këtu për të parë dokumentet) faktojnë se në Qendrat Shëndetësore janë shpërndarë me mijëra formularë të vitit 2015 [jo të këtij viti], të cilët duhen mbushur sipas informacioneve që po çon koncesionari këto muajt e fundit.”

Me deklaratën e saj, Vokshi u bëri thirrje mjekëve të mos i plotësojnë formularët e viteve të shkuara dhe të mos bëhen pre e manipulimeve.

“Checkup-i nuk është falas, siç propogandon Kryeministri Rama. Shqiptarët jo vetëm paguajnë rreth 15 euro për një analizë, shumë më shtrenjtë se në privat, por paguajnë edhe për qindra mijë analiza të tjera që nuk bëhen kurrë. Kontrolli i Lartë i Shtetit ka konstatuar se për 3 vitet e para, koncesionari është paguar në mënyrë abuzive me 12.6 milionë euro për rreth 500 mijë analiza të pabëra asnjëherë.”

Demokratët akuzojnë për koncesionin korruptiv qeverinë dhe theksojnë se përfituesja e kontratës, sipërmarrësja Vilma Nushi, është financuese e fushatave të socialistëve. Këto akuza PD i ka bërë edhe më parë duke theksuar se po bëhen miliona euro abuzime.

Ky është koncesioni i dytë në shëndetësi që do të hetohet nga SPAK. Më parë, me nismë qytetare nga nisma Thurje, u dërgua për hetim koncesioni i sterilizimit.

Qeveria ka dhënë me koncesion 4 shërbime shëndetësore, ku përveç checkup-it dhe sterilizimit janë edhe dializa dhe laboratorët. Por pavarësisht akuzave, Kryeministri Rama i mbron koncesionet si politika e duhur dhe më e mirë për shëndetësinë.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>