Opozita jashtëparlamentare (PD dhe LSI) i kërkuan Këshillit Politik të kërkojë ekspertizën e OSBE/ODIHR për reflektimin e ndryshimeve kushtetuese të miratuara në 30 korrik në Kodin Zgjedhor, në mbledhjet e Këshillit Politik të mbajtur, sot.
Anëtarët e opozitës në Këshillin Politik, Oerd Bylykbashi dhe Petrit Vasili, në njoftimin për median, u shprehën se opozita nuk pranon ndryshimet e rregullave të garimit në mes të procesit zgjedhor:
“Duke qenë se Presidenti i Republikës ka dekretuar datën e zgjedhjeve dhe procesi zgjedhor ka filluar, kjo [pragu kombëtar, heqja e koalicioneve] përbën ndryshim të rregullave në mes të procesit zgjedhor. […] Ky propozim nuk pranohet nga Opozita”.
Ata e bënë të qartë se në rast të vendimarrjes së njëanshme, “Këshilli Politik e humbet funksionin e tij”, duke rrezikuar miratimin e një reforme zgjedhore të gjithëpranuar.
“Formulimet e Kodit Zgjedhor në fuqi, përfshirë ato të dakordësuara mbi bazën e marrëveshjes së 5 qershorit 2020 dhe të miratuara më 23 Korrik, janë plotësisht në përputhje me Kushtetutën dhe standartet e OSBE-së dhe Këshillit të Europës”, shkroi Bylykbashi dhe Vasili.