PD dhe LSI ka kërkuar që Këshilli Politik të mblidhet nesër, 23 korrik, me një axhendë të ndryshuar, duke refuzuar kërkesën e kryeministrit për tu mbledhur, sot, më 22 korrik.
Sipas emailit të opozitës, PD dhe LSI i propozojnë Këshillit Politik të diskutojë për:
1 — Blerjen e votës;
2 — Presionin ndaj votuesve dhe administratës publike;
3— Keqpërdorimin dhe abuzimin me administratën publike;
4— Marrëveshjet e fshehta me grupet kriminale;
5— Lirinë dhe sekretin e votës; dhe
6— Manipulimin dhe falsifikimin e rezultateve zgjedhore.
Kryeministri Edi Rama i ftoi përfaqësuesit e dy partive të opozitës të mblidhen sot, në orën 17:00 në Këshillin Politik për të diskutuar mbi ndryshimet kushtetuese, hapjen e listave.
Të mërkurën me 23 korrik, Kuvendi pritet të miratojë marërveshjen e PS, PD, LSI dhe Rudina Hajdarit të dakordësuar më 5 qershor.
Ndërsa, më 21 korrik, Rama dhe përfaqësuesit e deputetëve në parlament u dakordësuan për miratimin e ndryshimeve kushtetuese më 30 korrik.
PD dhe LSI janë shprehur kundra ndryshimeve kushtetuese. Sipas tyre, hapja e listave ka për qëllim ndalimin e koalicioneve dhe shkel marrëveshjen e 5 qershorit.