Kreu i Partisë Demokratike bëri një takim të mërkurën me kreun e Partisë Republikane Fatmir Mediun, për arritjen e një marrëveshje për kandidimin në zgjedhjet e 25 Prillit.
Pas përfundimit të takimit, Mediu tha për gazetarët se kanë arritur një marrëveshje në parim me PD.
“Kemi mirëkuptimin për të dalë me lista dhe program të përbashkët. Konkurrimi duhet të përfshijë njerëz që të maksimalizohet vota e opozitës”, tha Mediu.
Ai tha se nuk u fol për detajet se ku do të kandidojë, por shtoi se është i gatshëm të kandidojë kudo.
Mediu tha se në takim u fol për Partinë Republikane dhe për peshën e saj elektorale.
“Nuk ka mandate PR në lista, por ka kontribute dhe konkurrime. S’ka vende të sigurta. S’mund të ketë vende të sigurta për askënd. PR ka peshën e saj elektorale. Ato vota duhet të jenë pozitive për mandate.”, tha Mediu.
Kreu i PR Fatmir Mediu prezantoi në listë të vecantë kandidatët e tij për deputetë.
Mediu ka kërkuar që kandidatët e PR në listat e Partisë Demokratike në zgjedhjet e 25 prillit, të vendosen sipas peshës elektorale.