
Partia Demokratike, PD ju përgjigj thirrje së deputetit socialist Taulant Balla për mbështetje të shkakrkimit të Presidentit Meta nga kryedemokrati Basha.
Gazmend Bardhi, sekretari i Përgjithshëm i PD u shpreh se shkarkimi i Metës është një përpjekje për largimin e vëmendjes nga masakra elektorale “Rama-Doshi-Rakipi”:
“Detyra jonë është të qëndrojmë të vendosur dhe të luftojmë fort për kthimin e demokracisë në vend. Çdo çështje tjetër, synon që të shmang vëmendjen nga masakra elektorale Rama-Doshi-Rakipi, që është turpi i vetëm i Shqipërisë”.
Balla i bëri thirrje kryetarit të PD-së Basha të mbështesë moralisht dhe të votojë pro shkarkimit të Metës nga Kuvendi, përmes deputetëve të tij në Kuvend.
“Unë i bëj thirrje, Lulzim Bashës të mbështesë moralisht shkarkimin e Presidentit. Deputetët e pranishëm në sallë, që kanë garuar në emër të PD-së në këto zgjedhje duhet të votojnë pro shkarkimit të Metës”, u shpreh Balla gjatë seancës së sotme parlamentare, 7 maj, ku pritet votimi i ngritjes së Komisionit hetimor.