PD diskuton çështjen e pronave dhe Korporatës së Investimeve me Komisionin e Venecias

PD diskuton çështjen e pronave dhe Korporatës së Investimeve me Komisionin e Venecias

Ish-deputetët demokratë Jorida Tabaku dhe Oerd Bylykbashi takuan sot përfaqësuesit e Komisionit të Venecias për problemin e pronave dhe rrezikun e abuzimit të qeverisë me pronat publike përmes Korporatës së Investimeve.

Në një deklaratë për shtyp, ish-deputetët Tabaku dhe Bylykbashi thanë se kanë vënë në dijeni Komisionin për problemet e shumta ligjore që qeveria Rama ka shkaktuar në çështjen e pronave:

“Ne patëm mundësinë që të diskutojmë dhe të shpjegojmë në detaje çfarë ka ndodhur që nga viti 2013 e këtej duke nisur me ligjin antikushtetues të kthimit të pronave, ligj i cili nuk e njeh pronarin si pronarë të pronës së tij, duke vazhduar me grup tjetër ligjesh që lidhen me investitorët strategjikë dhe ligjin e Korporatës së Investimeve, që janë ligje qartazi që bien ndesh me të drejtën e pronarëve që marrin tokë private dhe publike dhe e lënë këtë në dorën e Edi Ramës për ta shpërndarë.”

Ish-deputetët demokratë denoncuan dhe ligje të tjera problematike si ligjin e Kadastrës apo ligjet të cilat lidhen me të drejtën që kanë patur Këshillat Bashkiakë për të marrë vendime të pronave me shumicë të cilësuar 2/3 dhe që është hequr javën e fundit.

“Diskutuam gjerësisht dekretin e Presidentit për Kadastrën një institucion i ri i cili në gjykimin tonë merr funksione të reja që nuk i takojnë këtij institucioni dhe kryeministrit për të vendosur mbi kufijtë e pronës, të drejta që i ka vetëm gjykata”, u shpreh Zonja Tabaku.

Ndërsa Zoti Bylykbashi theksoi se bllokimi i Gjykatës Kushtetuese dhe i gjithë sistemit të drejtësisë është i qëllimshëm nga ana e qeverisë Rama, pasi tashmë, pronarët nuk kanë mundësi të ankohen në Gjykatë Kushtetuese dhe në gjykatat e niveleve më të ulëta kundër padrejtësive të ligjeve dhe institucioneve të reja si Korporata e Investimeve.

Exit.al ka qenë e para media që ka shkruar për rrezikun që paraqet formimi i Korporatës së Investimeve Shqiptare, pasi siç e kemi shpjeguar këtu dhe këtu, fuqitë dhe hapësirat ligjore të këtij institucioni për t’u angazhuar në skemat financiare “inovative” dhe për të luajtur me pronat publike janë shumë më të mëdha se ato të parashikuara nga ligji mbi partneritetet publike-private.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>