PD do të ankimojë vendimin e Komisionerit Publik për kryebashkiakun e Mallakastrës

PD do të ankimojë vendimin e Komisionerit Publik për kryebashkiakun e Mallakastrës

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Belind Këlliçi bëri me dije se kjo forcë politike do të ankimojë vendimin e Komisionerit  Publik për konfirmimin e kryetarit të bashkisë Mallakastër.

Ai e konsideroi vendimin si goditje politike ndaj ligjit të dekriminalizimit.

“Vendim i Ilirjan Celibashit për të mbajtur në kundërshtim me ligjin një person të dënuar në krye të Bashkisë së Mallakastrës, është tregues i një vullneti të mbrapshtë politik për të goditur ligjin më të rëndësishëm të Republikës tonë, atë të Dekriminalizimit,” u shpreh Këlliçi të premten në një deklaratë për shtyp.

Sipas tij, vendimi bie ndesh me preçedentët e mëparshëm, ku KQZ-ja ka shpallur pavlefshmërinë e mandateve për Dashamir Tahirin, Aqif Rakipit dhe Gledion Rahovicën.

Edhe në këto raste, sipas Këlliçit, bëhej fjalë për të dënuar apo hetuar jashtë vendit, të pa deklaruar në formularin e dekriminalizimit, që kanë pretenduar se nuk kanë patur djeni çështjet kundër tyre.

Këlliçi shtoi se masakra zgjedhore e 25 prillit, ku “politika dhe krimi bashkëvepruan për të penguar nëpërmjet çdo paligjshmërie ndryshimin”, tregoi se ligji i dekriminalizimit duhet të forcohet më tej, jo të shkelet.

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve la në detyrë kryebashkiakun e Mallakastrës Qerim Ismailaj, të premten. Ismailaj rezultoi i dënuar me 3 vite burg në Greqi, për rrahje, pas verifikimit të Prokurorisë së Përgjithshme.

Vendimi i KQZ-së u bazua në vlerësimin e Prokurorisë, sipas të cilit personi duhet të ishte dënuar me gjobë sipas ligjit shqiptar.

 

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>