Edhe Zoti e lejon ndonjëherë djallin të fitojë. Kjo e bën qenien më hileqare të bjerë vetë viktimë e dijes që beson se e zotëron më së miri: mashtrimit.
Për shembull, te Fausti i Gëtes, Zoti i vë qëllimisht në rrezik krijesat e tij për të ndëshkuar Mefistofelin me vetë armën e tij më të fortë, mashtrimin, si dhe për të dëgjuar përgjërimin e njerëzve që i gjithëfuqishmi të ndërhyjë dhe ta ripërtërijë krijimin.
Struktura e marrëdhënieve që na shpalos Gëte është një model që gjen zbatim në shumë plane, përfshirë rrafshin politik të një shoqërie si e jona. Në rivalitetin politik ndërmjet regjimit të Rama-Veliajt dhe kundërshtarëve të tij, duket se të parët janë më të aftë për të diktuar axhendën dhe për të futur sfidantët e tyre në një labirinth lëvizjesh të detyruara.
Ky model konflikti na shfaqet edhe pas sharkimit të kryetarit të Bashkisë së Vorës, që ka rikthyer nota entuziazmi në kampin opozitar. “Hetimi dhe denoncimi i opozitës i dha rezultatet,” – duket se thonë, jo pa të drejtë, fytyrat e shumë përfaqësuesve të të djathtës. E tunduar mes fitoreve të vogla dhe shpresës se regjimi po bie, opozita nuk e sheh transformimin e brendshëm si nevojë të asaj vetë dhe të shoqërisë shqiptare.
Por, duke pasur nën kontroll të plotë të gjitha shtyllat e pushtetit, galerat e krimit dhe klubin oligarkik, Edi Rama duket se i shfrytëzon këto suksese të vogla të opozitës për të fituar një mundësi tjetër për të përtërirë valën e tij të veprimeve joligjore.
Me gjasë, Rama e ka kuptuar më mirë sesa opozita se sekreti për ta mbajtur këtë të fundit larg pushtetit është t’ia ngopë herë pas here instinktin politik me triumfe të tilla të vogla. Kështu opozita nuk mund të transformohet në kundërshtare letale për regjimin. Një opozitë që çdo ditë beson dhe thërret se Rama ka marrë fund, shpërdoron çdo ditë mundësinë për t’u vetëtransformuar në një alternativë të fortë për mafia-shtetin e Rama-Veliajt.
Kundërshtarët mund ta ngushëllojnë veten se pikërisht ekonomia e rrënuar dhe emigrimi masiv tregojnë se fundi i regjimit është afër. Me supozimin se shqiptarët nuk do të durojnë dot më një qeveri që nuk u paguan as pagat, PD mund të jetë duke u bërë gati për të marrë pushtetin.
Edhe në qoftë regjimi i Edi Ramës në buzë të greminës, vështirë se mund të thuhet se shqiptarët fituan dhe opozita fitoi.
Fitorja e madhe e opozitës do të ishte fitorja e betejës me veten – shndërrimi i saj jo thjesht në një alternativë për të marrë pushtetin pas rënies së Ramës, por në një barrierë kundër kthimit të një regjimi si ky, edhe pasi opozita e sotme të rikthehet sërish në opozitë. Ky shndërrim do ta mbronte Partinë Demokratike nga implodimi, shkërmoqja dhe shembja brenda vetes, siç ndodhi në vitin 2013.
Kjo shkërmoqje në 2013, që u pasua nga paaftësia e PD-së për të penguar kapjen e të gjitha pushteteve nga binomi Rama-Veliaj, u përcaktua nga fakti se kjo parti nuk u transformua dot para se të vinte në pushtet në vitin 2005. Ndryshimet në opozitën e asaj kohe qenë në masë të madhe kozmetike dhe të vakëta në përmbajtje. Mirëqeverisja nuk u shndërrua dot në shtetndërtim dhe nuk e pajisi dot vendin me imunitetin e nevojshëm ndaj tundimit të populizmave.
Me largimin e të djathtës nga qeverisja, të gjitha institucionet u dorëzuan njëri pas tjetrit në prehrin e Ramës, sepse PD kishte menduar për pushtetin e saj më shumë sesa për të ardhmen e demokracisë në vend.
Edhe nëse pranojmë se PD do të vijë në pushtet së shpejti, madje do të qeverisë mirë, qeverisja e saj do të jetë vetëm një prehje e përkohshme për shqiptarët përpara rikthimit në pushtet të një klike edhe më tiranike dhe më të babëzitur se ajo e Ramës: klika e Veliajt.
Përpara se kjo të ndodhë, – pra përpara se opozita të vijë në pushtet falë votës së protestës dhe e patransformuar, – është një domosdoshmëri ekzistenciale që të gjitha gjymtyrët morale, intelektuale dhe politike të vendit të bashkohen në një formulë presioni mbi Partinë Demokratike, që ajo ta marrë përsipër këtë mision.
Qëndrimi prej spektatori apo komentatori ndaj të metave e gabimeve të kësaj të djathte nuk prodhon asnjë fryt të mirë për të ardhmen e jetës në Shqipëri. Nisja e një lëvizjeje kombëtare për ta shndërruar PD-në në një platformë për shëndoshjen e institucioneve dhe demokratizimin e vendit duhet t’i zërë vendin analizës së painteresuar të situatës.
Tashmë është bërë e qartë se për ta shtyrë opozitën drejt një axhende për shpëtimin e kombit nuk mjaftojnë thirrjet dhe këshillat. Opozita nuk duket se e sheh me simpati kërkesën për të marrë mbi supe një mision të tillë.
Ajo është më e prirur të zhvillojë një kampionat ndeshjesh të vogla me regjimin për të koleksionuar sa më shumë kupa përgjatë një trajektoreje politike të njohur. Funksionarët e saj janë politikanë, ndaj është e kuptueshme se ata ndjekin objektivat e tyre politike dhe nuk gjejnë arsye pse të sakrifikojnë interesat vetjake për hir të interesit kombëtar.
Dialogun e madh që opozita duhet të kishte nisur me të gjitha polet morale, intelektuale e civile për të kërkuar shtegdalje drejt demokracisë, këtyre të fundit u mbetet ta nisin vetë. Rrethet intelektuale, autoritete morale, aktivistë, gazetarë, profesionistë dhe sipërmarrës duhet ta ftojnë opozitën që të nisë këtë dialog me shoqërinë shqiptare për fatet e demokracisë dhe të vendit. Aty duhet ftuar edhe e majta sot në qeverisje, sigurisht, por vetëm pasi të jetë larguar nga pushteti që nuk e lë të transformohet. Sot për sot opozita aktuale është zgjedhja më e arsyeshme për t’ia ngarkuar këtë mision.
Goditjen fatale këtij misioni mund t’ia japë vetëm Edi Rama. Duke u dorëhequr menjëherë ai do t’i dhuronte opozitës së papërgatitur një patate të nxehtë. E patransformuar, me pataten e nxehtë në duar dhe tashmë në pushtet, Partia Demokratike zor se do të ishte në gjendje të merrej me Ramën dhe me shtratin ku qëndron regjimi i tij.
Ajo që vjen pas kësaj është një histori e dëgjuar tashmë, me pushtetin që korruptohet dhe me një aleancë të re qelbësirash për të sjellë Veliajn në pushtet. Nëse ka akoma një mundësi që kjo të mos ndodhë, çdo shqiptar duhet ta shfrytëzojë atë mundësi.