PD duhet t’i dalë për zot qeverisë kujdestare, jo të konsumohet në lojëra fjalësh

Nga Exit News
PD duhet t’i dalë për zot qeverisë kujdestare, jo të konsumohet në lojëra fjalësh

Partia Demokratike ka pohuar dje, se ajo kërkon krijimin e një qeverie kujdestare, e cila do të ketë mision organizimin e zgjedhjeve parlamentare të vitit 2021.

Edhe pse PD nuk jep asnjë hollësi për propozimin e saj, përfaqësuesi i saj është kujdesur që të theksojë se kjo qeveri nuk do të jetë bashkëqeverisje mes shumicës socialiste dhe opozitës. Oerd Bylykbashi pohoi dje se:

“[N]ë çdo rast, kjo nuk mund të jetë bashkëqeverisje e opozitës me PS. Duhet të ketë një qeveri neutrale, që zbaton ligjin dhe garanton zgjedhjet, me figura me integritet të lartë dhe në çdo rast, këtë qeveri nuk mund ta drejtojë Edi Rama.”

Këtë mesazh të Oerd Bylykbashit e postuan në seksionet e komenteve në rrjet të Exit News, profile fallco të shoqëruar me një variant të mesazhit: kjo gjë (pra qeveria e përbashkët), nuk është e vërtetë .

Dy ditë më parë, PD e quajti lajm të rremë një raportim tonin për përpjekjet e saj për një qeveri kujdestare në bashkëpunim me PS-në, dhe zëdhënësja e PD-së akuzoi Exit News se po i shërben Edi Ramës.

Është çështje e saj pse PD nuk sqaron politikisht pozicionin e saj, por bën politikë përmes profileve fallco dhe akuzave të palogjikshme. Duhet thënë se përgënjeshtrimet e saj duken se janë përgënjeshtrime semantike dhe jo thelbësore.

PD ka sqaruar se nuk bëhet fjalë për “bashkëqeverisje”, dhe mund të bihet dakord me të që nuk do jetë bashkëqeverisje. Çështja është nëse kjo qeveri mund të quhet apo jo “qeveri e përbashkët” mes PD-së dhe PS-së.

Kriteri për të gjykuar “përbashkësinë” e qeverisjes është: kush i propozon anëtarët e kësaj qeverie kujdestare. Nëse një pjesë propozohen nga opozita dhe një pjesë nga shumica, atëhere nuk ka asnjë dyshim se kjo qeveri do të jetë produkt i përbashkët i bashkëpunimit shumicë-opozitë dhe me të drejtë duhet të quhet qeveri e përbashkët.

Qenia ‘e përbashkët’ nuk ja heq asaj karakteristikën e të qenit kujdestare apo neutrale (edhe pse termi “neutral” është pa sens teorik e praktik).

Natyrisht, nëse përbërjen e kësaj qeverie do ta caktojë vetëm shumica, në mënyrë të pavarur nga opozita, atëhere opozita ka të drejtë të përgënjeshtrojë etiketimin e kësaj qeverie si “qeveri e përbashkët”.

Problemi që po has PD-ja në përpjekjen publike për të mbrojtur propozimin për qeveri kujdestare, nuk është thjesht fakti se kjo është zgjedhje e ngjashme me atë të vitit 2017, por gjithashtu se ajo nuk po mer përgjegjësinë për propozimin dhe nuk shpjegon publikisht si dhe pse ka arritur në këtë propozim, e si mendon ajo se do funksionojë zgjedhja këtë herë.

Në vend të sqarojë këto gjëra me qetësi, PD duket se konsumohet në lojëra fjalësh dhe sulme nervoze ndaj atyre që kërkojnë të informojnë, shprehin pesimizmin apo kritikën e tyre ndaj përsëritjes së historisë së vjetër me qeveri teknike/kalimtare/kujdestare/neutrale.

Shpjegimi dhe qartësia do ta ndihmonin PD-në të marrë mbështetje publike për zgjedhjen që po bën. Pasi humbi zgjedhjet e vitit 2017, PD identifikoi si një nga shkaqet e humbjes faktin se ajo nuk arriti t’i shpjegojë publikut marrëveshjen Rama-Basha dhe qeverinë teknike, duke i lënë hapësirë Edi Ramës ta keqinterpretonte atë.

Ajo nuk duhet të bëjë të njejtin gabim sërish. Në vitin 2017, mund të justifikohej me mungesën e kohës pasi filloi menjëherë fushata zgjedhore, kurse këtë herë, ka kohën e mjaftueshme të shpjegojë.

Nëse PD nuk e bën këtë gjë, nuk duhet të ankohet për keqkuptimet apo perceptimet e gabuara në publik. Nëse PD nuk e bën këtë, thashethemet dhe jo e vërteta do vendosin se çfarë do mendojnë shqiptarët.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>