Komisioni Qendror i Zgjedhjeve njoftoi dje se të gjitha partitë kryesore do të humbisnin afatin për të dorëzuar listën për anëtarët e Komisioneve të zonave të Administrimit Zgjedhor (KZAZ) nëse nuk dorëzonin listat brenda datës 18 mars. Partia Socialiste e dorëzoi listën e saj në fund të ditës, ndërsa Partia Demokratike dhe LSI, partitë kryesore të opozitës, nuk kanë propozuar asnjë kandidat deri më tani.
KZAZ-të luajnë rol vendimtar në administrimin e zgjedhjeve lokale, të cilat janë planifikuar për në 30 qershor.
Duke e dorëzuar në kohë listën e kandidatëve, PS thekson qëndrimin e saj të “normalitetit”. Të njëjtën porosi, pra atë të të sjellurit si në një situatë normale parlamentare, Kryeministri Rama ia dha dhe deputetëve socialistë një ditë më parë.
Mosdorëzimi i listave për anëtarët e KZAZ-ve është sinjali i parë nga PD dhe LSI për bojkotin e zgjedhjeve lokale.
Shkelja e afateve të KQZ-së ka ndodhur dhe më parë në të kaluarën. Gjatë fushatës zgjedhore të vitit 2017, të gjitha partitë nuk arritën të dorëzonin një listë të plotë deri pak ditë para zgjedhjeve, duke lënë zona të mëdha votimi pa përgatitje të mjaftueshme. Taktika e shtyrjes së publikimit të emrave të komisionerëve nëpër qendrat e votimit është taktikë e njohur nga partitë dhe ka si qëllim zvogëlimin e rrezikut që partitë kundërshtare të “blejnë” komisionerët përpara zgjedhjeve.
Reforma zgjedhore, e kërkuar nga BE dhe OSBE/ODHIR, supozohet të heqë çdo ndikim politik në procesin e përzgjedhjes së komisionerëve të votimit. Por opozita është larguar nga Parlamenti, ka shumë pak mundësi që reforma të miratohet dhe zbatohet para zgjedhjeve të ardhshme.
Dje, Kryeministri Rama emëroi ish ministrin Damian Gjiknuri koordinator për reformën zgjedhore. Në dhjetor të vitit 2018, Rama e shkarkoi Gjiknurin pas skandalit me tenderat me vlerë 30 milionë euro të dhëna kompanisë fantazëm DH Albania. Duke u mbështetur në përgjimet e prokurorisë, opozita gjithashtu pretendon se Gjiknuri ishte zyrtari kryesor i PS-së që udhëhoqi blerjen e votave në qarkun e Dibrës gjatë zgjedhjeve të 2017-ës.
Opozita ndërkohë ka paralajmëruar se ditën e enjte do të vazhdojë me protestën e radhës tek Parlamenti, ku do të jetë duke u zhvilluar seanca plenare e radhës.