Partia Demokratike i ka kërkuar qeverisë informacione për verifikimet e bëra në godinën nr. 4 të Kavalishencës në Durrës, ku humbi jetën kryekomisari Bajram Hajdarmataj, pas shkatërrimit të godinës nga tërmeti.
Sekretari i Përgjithshëm i PD Gazment Bardhi deklaroi:
- Pas tërmetit të datës 21 shtator 2019, a ka kërkuar zyrtarisht dhe a ka kryer Ministria e Brendshme verifikimin e sigurisë dhe gjendjes së Godinës Nr. 4 të Shtëpisë së Pushimit në Durrës?A është informuar ose raportuar pranë Komitetit Ndërministror të Emergjencave Civile (KNEC) për gjendjen e kësaj godine?
- A u verifikua Godina nr. 4 e Shtëpisë së Pushimit të Ministrisë së Brendshme Durrës pas tërmetit të 21 shtatorit? Kush janë ekspertët që u angazhuan dhe çfarë vlerësimi bënë ata?
- A është vlerësuar nga drejtuesit e Godinës se nga konstatimet faktike, lidhur me dëmet e muraturës, objekti nuk mund të funksionojë në kushtet se si është në gjendjen aktuale, pasi muraturat e dëmtuara demonstrojnë rrezikshmëri të lartë? Nëse po, kush ka urdhëruar përdorimin e Godinës dhe mbi çfarë baze është bërë kjo?
- A është lajmëruar stafi për gjetjet e ekspertëve dhe për sigurinë e godinës?
Më herët, PD ka kërkuar dhe shpjegime për masat e marra nga qeveria për të parandaluar vdekjen e 24 qytetarëve në dy pallatet që u rrëzuan në Thumanë. Të dy pallatet dyshohen se u vlerësuan si të pabanueshëm nga ekspertët, pas tërmetit të 21 shtatorit, por banorët u lejuan të vazhdonin të jetonin aty.