Partia Demokratike (PD) kallëzoi në Prokurorinë Speciale Antikorrupsion (SPAK) koncesionin e monitorimit të faturave të shitjes dhe blerjes së hidrokarbureve.
Agron Shehaj dhe Çlirim Gjata u shprehën se nëse SPAK heton këtë koncesion atëherë kryeministri Rama mund të përfundojë në burg.
“Nuk ka asnjë dyshim se kjo është një aferë e rëndë korruptive, e cila, nëse hetohet siç duhet, do ta çojë drejtësinë tek Edi Rama”, u shpreh Agron Shehaj, pas dorëzimit të padisë për median.
Sipas PD-së, “qeveria ka paracaktuar që tre klientë të saj të gjurmojnë transaksionet financiare në fushën e hidrokarburëve”.
“Ky vendim, në fushatë zgjedhore shkel rregullat e zgjedhjeve, mbyll tregun në tre duar dhe, mbi të gjitha, fut duart në xhepat e qytetarëve, duke e bërë karburantin akoma më të shtrenjtë”, shtoi Shehaj.
Ai u shpreh se Rama po e bënë të gjithë këtë sepse “është në panik nga humbja e pushtetit. Edi Rama është në panik, sepse e kupton që fundi i tij ka filluar”.
“Koha e Edi Ramës ka mbaruar! Është koha për ndryshim! Është përgjegjësi e Partisë Demokratike të sjellë ndryshim në të gjitha fushat ku Edi Rama ka dështuar”, përfudnoi Shehaj.