PD kallëzon në SPAK Ramën dhe disa zyrtarë të lartë për shpërdorim detyre

Nga Exit News
PD kallëzon në SPAK Ramën dhe disa zyrtarë të lartë për shpërdorim detyre

Partia Demokratike ka kallëzuar në SPAK kryeministrin Edi Rama dhe disa ministra, kryebashkiakë, deputetë e zyrtarë për “Shpërdorim detyre” dhe “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore”.

Sipas padisë së firmosur nga Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi, personat që kallëzohen akuzohen se po përdorin funksionin publik për interes elektoral.

“Disa nga shembujt e sjellë janë përfshirja e Edi Ramës, Elisa Spiropalit, Taulant Ballës, Belinda Ballukit, Erion Veliajt, Arben Ahmetajt etj në aktivitete që kanë të bëjnë, kryesisht, me rindërtimin pas tërmetit, ku përdoren burime dhe para publike, si dhe me dhënien e certifikateve të legalizimit apo investimeve të tjera publike.”, shkruhet në njoftimin e PD të publikuar në “Facebook”.

Partia Demokratike pretendon se publikimi i këtyre aktiviteteve ku marrin pjesë zyrtarë të lartë të pushtetit qëndror dhe lokla është “i ndaluar edhe me vendim të KQZ, bazuar në ligjin e miratuar sipas marrëveshjes së qershorit të kaluar.”

PD i ka bërë thirrje SPAK të reagojë edhe në lidhje me kallëzimin e bërë pak kohë më parë ndaj ministres Olta Xhaçka, e cila akuzohet se ka përdorur disa herë helikopterin ushtarak për qëllime elektorale.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>