
Sekretari i Përgjithshëm i PD, Gazment Bardhi deklaroi të enjten në Real Story, se ka depozituar në SPAK ditët e fundit një kallëzim penal për përfaqësuesin e qeverisë në Elbasan, Taulant Balla.
Bardhi tha se ka konstatuar se Balla po kryen një krim elektoral në Elbasan, duke ushtruar presion ndaj personave që janë pjesë e skemës së ndihmës ekonomike.
“Ekzistojnë provat se si personat e listës janë telefonuar, dhe u është thënë se do ta humbin ndihmën ekonomike që marrin nëse nuk votojnë PS, ose në rast tjetër, u është kujtuar atyre se dyfishimi i ndihmës deri në qershor, është vepër dhe meritë e Taulant Ballës”, tha Bardhi.
Prokuroria e ka shumë të lehtë të hetojë e të verifikojë, tha Bardhi sepse telefonatat janë bërë nga shtabi i Taulant Ballës. Po ashtu ai shpjegoi se në telefon janë marrë pikërisht qytetarët që janë përfitues të ndihmës ekonomike.