PD këmbëngul: KQZ manipuloi zgjedhjet, shtoi 280 mijë votues

PD këmbëngul: KQZ manipuloi zgjedhjet, shtoi 280 mijë votues

Partia Demokratike vazhdon të këmbëngulë se 85% e shqiptarëve i bojkotuan zgjedhjet e 30 qershorit. Në një dalje për shtyp sekretari për çështjet zgjedhore, Ivi Kaso theksoi se KQZ i rriti me 280 mijë vota të dhënat e pjesëmarrësve në votime duke mos përcjellë rezultatet e çdo kutie votimi.

Në daljen e tij për shtyp Kaso tha:

Komisionerët socialistë, në bashkëpunim me Komisionin Qendror të vjedhjeve kanë rritur pjesëmarrjen me 8 përqind, që do të thotë se kanë mbushur kutitë, duke shtuar rreth 280 mijë vota në të gjithë vendin. Ata nuk kanë ruajtur dot as shifrën zyrtare të dhënë nga vetë Komisioni natën e 30 Qershorit.

Deklarata e Kasos erdhi pasi KQZ njoftoi zyrtarisht se numri i përgjithshëm i pjesëmarrjes në zgjedhjet e 30 qershorit kishte qenë 812,249 (22.97%).

Kaso akuzoi se KQZ “nuk i shërben zgjedhjeve”, por “vjedhjes”. Ai vazhdoi më tej duke thënë se “KQZ nuk i hodhi online të dhënat e pjesëmarrjes që më 30 qershor, për të mos lënë gjurmë” dhe se “gjatë gjithë procesit të numërimit nuk u publikua asnjë tabelë me rezultatet e kutive” gjë që sipas demokratëve i bën shifrat e KQZ të kontestueshme.

Sekretari i PD-ës e përfundoi daljen e tij për shtyp duke thënë se të dhënat e KQZ-ës dhe sjellja e saj “tregon se ky është një proces i manipuluar, i paligjshëm dhe antikushtetues” për të cilin Kaso këmbënguli se kushdo që është përfshirë në të “do të mbajnë përgjegjësi penale”.

Lajme te ngjashme

Më të lexuarat

Dërgo informacion në mënyrë konfidenciale

Nëse keni informacion në interes të publikut mund ta dërgoni te redaksia e Exit duke zgjedhur te mbeteni anonim nëse dëshironi.

Mënyrat e dërgimit >>