Kryeministri Edi Rama po pengon dorëheqjen e Valdrin Pjetrit dhe zbatimin e ligjit antimafia ndaj tij, me qëllim marrjen në mënyrë të paligjshme të Bashkisë së Shkodrës. Kështu deklaroi sot Sekretari për Çështjet Ligjore Çlirim Gjata, nga selia e Partisë Demokratike.
Ai tha se Kryeministri Edi Rama “po pengon Valdrin Pjetrin të japë dorëheqjen; prokurorinë të konfirmojë gjetjet e Partisë Demokratike; si dhe po pengon zbatimin e Ligjit Antimafia për verifikimin, sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurive”.
“Valdrin Pjetri është subjekt i drejtëpërdrejt i ligjit antimafia. Për rastin e Valdrin Pjetrit, jo vetëm që ka indicie për kryerjen e këtyre krimeve, por ky fakt është i provuar nga vendimet e drejtësisë italiane, të cilat janë publikuar prej disa ditësh nga Partia Demokratike”, u shpreh Gjata.
Partia Demokratike publikoi më 13 gusht 2019, dokumentin e institucioneve italiane të drejtësisë ku rezulton se Pjetri ka qënë i dënuar për trafik droge në Itali në vitin 2003. Por Pjetri nuk e ka deklaruar këtë fakt në formularin e vetëdeklarimit, dorëzuar në KQZ.
Sipas nenit 5 të ligjit të Dekriminalizimit, fshehja e dënimit në formularin e dekriminalizimit përbën vepër penale:
“Formulari i vetëdeklarimit plotësohet vetëm nga personi që është subjekt i këtij ligji. Deklarimi i rrethanave të rreme ose të shtrembëruara përbën vepër penale, sipas nenit 190 të Kodit Penal.”
Kjo vepër, sipas Kodit Penal “dënohet me burgim nga gjashtë muaj deri në katër vjet.”