Partia Demokratike kërkoi sot heqjen e mandatit të kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, për të cilin prokuroria konfirmoi se është dënuar me vendim të formës së prerë për veprën penale ‘armëmbajtje pa leje’.
Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Gazment Bardhi u shpreh se ’ligji i dekriminalizimit e thotë qartë se një person nuk mund të ushtrojë funksione publike me një dënim të tillë, edhe kur vepra penale deklarohet nga i dënuari, siç është rasti i kryebashkiakut të paligjshëm të Edi Ramës në Mat.’
“Ai është i dënuar për armëmbajtje pa leje dhe nuk duhet të mbajë më mandatin,” vazhdoi më tej Bardhi.
Prokuroria mbylli sot hetimet ndaj kryebashkiakut të Matit Agron Malaj, ish-gardisti i 21 janarit. Prokuroria konfirmoi se Malaj është dënuar me 10 muaj burg për ‘armëmbajtje pa leje’ në vitin 1999 nga gjykata e Matit. Po ashtu ai është hetuar për vrasjet e 21 janarit 2011, por në prill 2011, prokuroria ka vendosur pushimin e hetimeve.
Sipas hetimeve, të gjitha këto detaje janë bërë publike dhe nga vetë Malaj në formularin e vetëdeklarimit, por KQZ nuk e ka ndaluar atë nga kandidimi.
Për pretendimin e PD-së për heqje të mandatit të kryebashkiakut ndaj Malajt, prokuroria shkruan se duhet të shprehet departamenti i dekriminalizimit me kërkesë të KQZ-së.