Partia Demokratike i ka kërkuar Kontrollit të Lartë të Shtetit (KLSH) të kontrollojë të paktën 17 tendera të kryera së fundmi pa transparencë nga qeveria.
Me një shkresë dërguar të premten KLSH-së, PD thekson se tenderat janë kryer në mënyrë sekrete, pa transparencë, me procedura abuzive dhe korruptive, të cilat nxisin dyshimin për paracaktimin e tyre.
“Pjesa dërrmuese e kontratave është miratuar me vendim të Këshillit të Ministrave dhe nuk është bërë as publikimi i ofertave, as publikimi i kontratës.”
Në shkresën e PD-së renditen 13 tendera nga Ministria e Shëndetësisë, një nga Ministria e Drejtësisë dhe 3 të tjerë nga Ministria e Mbrojtjes.
Prej javësh opozita ka denoncuar tenderat për shëndetësinë dhe emergjencat civile për sa i përket ushqimeve, barnave dhe materialeve mbrojtëse të blera së fundmi nën epidemi.
Qeveria ka këmbëngulur se ato janë kryer sipas ligjit, por opozita ka vënë në dukje diferencat me 2-3 herë të çmimeve të disa prej produkteve të blera.