Partia Demokratike akuzoi sot kryeministrin Rama se po pasuron oligarkët në kurriz të qytetarëve, përmes koncesionit të sterilizimit të pajisjeve kirurgjikale.
Në një deklaratë nga selia e PD-së, ish-deputetja Oriola Pampuri tha se kompania koncesionare ka marrë 5 milionë euro më shumë nga buxheti i shtetit në mënyrë abuzive:
“Koncesioni i sterilizimit është vjedhje e hapur e një shërbimi që shteti mund ta kryente vetë me shumë më pak para. Që kur nisi nga funksionimi, ky koncesion 10 vjeçar i ka marrë buxhetit rreth 5 milionë euro më shumë, duke u bazuar në kontratën korruptive të firmosur nga qeveria e Edi Ramës.”
Sipas ish-deputetes Pampuri, kostot e koncesionit të sterilizimit janë fryrë qëllimisht nga qeveria për të pasuruar oligarkët:
“Mjekët vetë kanë denoncuar se kur shteti e bënte vetë sterilizimin kosto shkonte në 2.4 euro për një set kirurgjikal, sot që ky shërbim është dhënë me koncension kushton 190 euro një set kirurgjikal. Pra 80 herë më shumë.
Nëse shteti do të vijonte ta kryente këtë shërbim vetëm për vitin e kaluar për rreth 90 mijë operacione, kosto do të ishte 215 mijë euro. Ndërsa sot për të njëjtin numër operacionesh duhet të paguajmë 17 milion euro, falë qokave që Edi Rama duhet tu bëjë oligarkëve.”
Zonja Pampuri tha se qeveria ka gabuar në parashikimet e bëra në kontratë për këtë koncesion dhe sot shqiptarët po paguajnë miliona euro më tepër tek kompania koncesionare:
“Vetë Ministria e financave raporton që kontrata e koncensionit të sterilizimit ka dalë jashtë kontrolli.
Sipas këtij raporti , parashikimi I bërë në kontratë nga qeveria ka qënë i gabuar, pasi në kontratë është 62. 957 ndërhyrje, ndërkohë që vetëm për vitin 2018 janë realizuar 117. 000 ndërhyrje. Ulja e sasisë së ndërhyrjeve në kontratë është kryer qëllimisht. Kështu që buxheti i shtetit ka kryer pagesat e detyrimeve për tejkalimin e numrit të ndërhyrjeve gjatë vitit që ishin 610 milion lekë, ose rreth 5 milion euro më shumë të cilat janë paguar në vitin 2019.”
Sterilizimi i paisjeve mjekësore është një nga koncesionet më të mëdha të qeverisë dhënë në kohën kur Ministria e Shëndetësisë drejtohej nga Ilir Beqaj. Ky koncesion ka kosto totale rreth 70 milionë euro për 10 vite dhe është një nga 4 koncesionet e dhëna në shëndetësi së bashku me check-up-in, dializën dhe laboratorët.
Pak ditë më parë, Nisma Thurje dërgoi në Prokurorinë e Posaçme Antikorrupsion (SPAK) koncesionin e sterilizimit të pajisjeve mjekësore duke ngritur kallëzim ndaj zyrtarëve të përfshirë në këtë koncesion.